Qeveria shqiptare ka aktivizuar projektin për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës, më i madhi që nga vitet 1970, i cili përveçse do të rrisë me 20% prodhimin e energjisë do të jetë një rregullator për basenet e tjera të Kaskadës së Drinit.

 Blerina Hoxha

Kriza energjetike e detyroi qeverinë e Shqipërisë të vendosë tarifat e energjisë me dy fasha konsumi. Deri në 800 kilovat një kilovatorë do të shitet me çmim 9,5 lekë (7.5 cent) dhe mbi këtë nivel me çmim tregu 42 lekë (34 cent ). Enti Rregullator i Energjisë vendosi për aplikimin e kësaj mase të përkohshme nga 1 tetori deri në 31 dhjetor 2022, por Kryeministri Edi Rama po përpiqet ta shtyjë aplikimin për në fillim të nëntorit në varësi të reshjeve dhe ecurisë së çmimeve në bursa.

Aplikimi i tarifës me dy fasha për një periudhe tre mujore gjeneron rreth 1,8 miliardë lekë (15 milionë euro) të ardhura shtesë sipas përllogaritjeve të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë (OSHE). Kjo shumë do të grumbullohet në rreth 80 mijë familje që konsumojnë mbi 800 kilovatorë në muaj. Qeveria dhe OSHE shpresojnë që kjo masë më shumë se sa gjenerimi i të ardhurave shtesë të nxisë kursimin e energjisë përgjatë dimrit.

Në tetor të vitit të kaluar qeveria e Shqipërisë shpalli gjendjen e emergjencës për furnizimin me energjisë elektrike. Situata e emergjencës i jep të drejtë Entit Rregullator të Energjisë të rishikojë çmimet periodikisht në varësi të luhatjes së prodhimit nga burimet energjitike dhe ndryshimet në tregje të çmimit të energjisë.

Prodhimi vendas i energjisë dominohet 99 % nga hidrocentralet dhe volumet janë tërësisht në varësi të reshjeve dhe miradministrim i rezervës ujore. Përpjekjet për të diversifikuar prodhimin e energjisë me impiante diellore nuk po japin rezultat.

Gjatë 8-mujorit 2022 konsumi arriti ne 5,5 milionë kilovatorë, 83 për qind të cilit u prodhua nw vend dhe 13 % nga importi.

Deri në fund të korrikut Shqipëria harxhoi rreth 235 milionë euro për importin e energjisë, por kjo shumë mund të arrijë rreth 400 milionë euro deri në fund të vitit sipas projeksioneve të Ministrisë së Financave.

Të dhënat zyrtare tregojnë se përgjatë janar -korrik 2022  prodhimi vendas i energjisë arriti në 4,6 milionë Megavat/orë nga të cilat 52,6 për qind u prodhuan nga kompanitë publike dhe rreth 47 % nga prodhuesit privat të energjisë, të cilët ja shesin prodhimin operatorit publik me çmime të rregulluara.

Shqipëria ka ende hapësira për të rritur eficensën në sektorin e energjisë. Niveli i humbjeve gjatë 8-mujorit 2022, ishte sa 19 % të konsumit total të energjisë. Niveli më i lartë rajonal.

Gjithashtu entet publike dhe sidomos ndërmarrjet publike të ujësjellësit nuk paguajnw rregullisht energjinë. Enti Rregullator njoftoi se në fund të muajit gusht stoku i këtyre detyrimeve ndaj OSHE-së arriti në rreth 23 miliardë lekë (190 milionë euro), me një zgjerim 20 % nga fundi i vitit 2021. Në 10 vitet e fundit borxhi enteve publike ndaj Operatorit të Shpërndarjes është dyfishuar.

Shqipëria është në mes të një procesi për liberalizimin e tregut të energjisë.

Ketë vit për të përballuar krizën qeveria ka marrë me qira dy termocentrale lundrues (anije), të cilat përmbushin më pak se 5% të kërkesës vjetore për energji. Shoqatat mjedisore nuk janë dakord për shkak të dëmeve në mjedis dhe kostos së lartë të prodhimit të energjisë.

Qeveria shqiptare ka aktivizuar projektin për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës, i cili përveçse do të rrisë me 20% prodhimin e energjisë do të jetë një rregullator për basenet e tjera të Kaskadës së Drinit. Më këtë projekt Shqipëria të krijojë pavarësi të plotë nga importimi. Ky HEC do të kushtojë 510 milionë euro dhe për ndërtimin e tij Korporata Elektroenergjitë Shqiptare ka nënshkruar një kontratë me kompaninë amerikane Bechtel -Enka.

 

Blerina Hoxha është gazetare pranë revistës ekonomike “Monitor”, prej afro dy dekadash