Që nga viti 1970, popullata e tyre (p.sh. ngjala, harenga e lumit, blini) kanë rënë me 94% , kryesisht si rezultat i devijimit të lumenjve dhe ndërtimit të digave.

Besjana Guri

Pas më shumë se dhjetë vitesh përpjekjesh të vazhdueshme dhe pune për ruajtjen e një prej lumenjve të fundit të egër në Evropë, EcoAlbania, EuroNatur, Riverëatch dhe shumë aktivistë të tjerë arritën qëllimin e tyre me shpalljen e Parkut Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa. Më 15 mars 2023 ky vendim u bë publik nga Qeveria Shqiptare përmes një ceremonie zyrtare në një nga qytetet në zemër të Vjosës, në Tepelenë. Ky është një nga momentet historike për mbrojtjen e natyrës në Shqipëri si dhe një hidtori motivuese për shumë komunitete dhe aktivistë në mbarë botën.

Parku kombëtar i Lumit të Egër Vjosa merr në mbrojtje rrjedhën kryesore të tij dhe 3 prej degëve me rrjedhje të lirë: Bënça, Shushica dhe Drino dhe përbën parkun e parë në Evropë të një lumi të Egër. Ky është një park kombëtar që mbron ekskluzivisht lumenjtë dhe e bën këtë në një zonë të madhe, pra sisteme të tëra lumore. Lumenjtë janë ndër llojet e habitateve më të kërcënuara në mbarë botën. Shembulli i llojeve të peshqve migrues në Evropë tregon se sa të rrezikuar janë. Që nga viti 1970, popullata e tyre (p.sh. ngjala, harenga e lumit, blini) kanë rënë me 94% , kryesisht si rezultat i devijimit të lumenjve dhe ndërtimit të digave.

Megjithatë, puna për ruajtjen e Vjosës vazhdon. Organizatat zbatuese të fushatës “Të shpetojmë zemrën blu të Evropës” janë të fokusuara në mirë-funksionimin e parkut kombëtar dhe menaxhimin e tij sipas standardeve ndërkombëtare. Të pasurit të një parku në letër është një fenomen që ndodh shpesh në Shqipëri dhe në vendet e Ballkanit, duke sjellë shumë problematika në terren dhe duke rrezikuar që zona e mbrojtur të mbetet praktikisht e pa mbrojtur dhe e kërcënuar nga presionet e ndryshme.

Lumi Vjosa/Aoos është një nga lumenjtë e fundit më të mëdhenj të egër në Evropë. Ai rrjedh nga malet në Greqi, ku quhet Aoos, deri në detin Adriatik në Shqipëri. Së bashku me degët e saj, Vjosa/Aoos formon një ekosistem me velra të larta të biodiversitetit me rëndësi kombëtare dhe globale. Megjithatë, zona ofron edhe perspektiva ekonomike. Ekoturizmi përgjatë lumit dhe degëve të tij po rritet vazhdimisht, veçanërisht gjatë viteve të fundit kur është njohur dhe zhvilluar potenciali për aktivitete të tilla si rafting, kanotazh, etj.

Fushata “Save the Blue Heart of Europe” synon mbrojtjen e lumenjve me vlera të larta natyrore në Ballkan, të cilët kërcënohen nga më shumë se 3400 projekte hidroenergjetike. Fushata koordinohet nga OJQ-të ndërkombëtare Riverëatch dhe EuroNatur dhe zbatohet së bashku me organizatat partnere në vendet e Ballkanit. Partneri lokal në Shqipëri është EcoAlbania, në Greqi MedINA.

 

Besjana Guri,  EcoAlbania