Punësimi fiktiv në administratën publike dhe fotografimi i votës janë të pranishme në Shqipëri. Manipulimi i zgjedhjeve gjithashtu. Kjo panoramë e dekurajon të riun shqiptar të merret me politikë.

 Belind Këlliçi

Në leksikun shqiptar, togfjalëshi “Politikan i ri” nisi të përdorej në vitet ’90, me ardhjen e pluralizmit. Lëvizja Studentore e Dhjetorit ’90 ngjiti në skenën politike disa të rinj. Dëshira për ndryshime të menjëhershme demokratike dhe padurimi i përligjur i shqiptarëve për të arritur standardet europiane, u kthye në një mallkim për ta. Të papërvojë, të rinjtë e atëhershëm, u larguan të zhgënjyer nga politika aktive, duke krijuar perceptimin publik se pak kishte ndryshuar në politikëbërjen shqiptare. Ky zhgënjim u bë refren popullor në çdo bisedë me temë politikën. Njëkohësisht, nxiti tek shqiptarët dëshirën për të parë më shumë të rinj në role drejtuese. Aq sa një i ri 29 vjeç u zgjodh kryeministwr i vendit. Pasuesi i tij një 30 vjeçar.
Kjo lëvizje ishte një revolucion në kulturën politike në të cilën mbizotëronin lidhjet e forta krahinore, që sollën dhe bastionet e para partiake në vend. Sot tabloja politike tregon për lidhjet e gjakut. Ministrat aktualë dhe shumë nga figurat qendrore të partisë qeverisëse kanë lidhje gjaku me ish byroistët e periudhës komuniste. Kjo vështirëson ngjitjen në majat e politikës për të rinjtë me bindje të majta. Prandaj i mbetet opozitës demokratike të ofrojë një model më gjithëpërfshirës për të rinjtë shqiptarë.
Në vitin 2005, Komiteti i Orientimit të Politikave (KOP), një bord kryesisht me profesionistë të rinj, i asociuar me Partinë Demokratike dha sinjalin se ishte koha për ndryshim. Qeveria e vitit 2005, kishte shumë të rinj, deri atëherë të panjohur në jetën politike.

Kjo retrospektive evidenton disa nga arsyet përse të rinjtë shqiptarë nuk besojnë te politika. Mirëpo sa më të pakënaqur jemi prej politikës, aq më shumë merremi me politikë. Kjo kulturë vijon ende me ndryshimin pozitiv se tashmë politikanët komentohen hapur, qortohen në rrjete sociale, madje  bëhen edhe meme. Ne shfaqim sjellje cinike ndaj politikanëve tanë. Qeshim me ta, kur duhet të jemi më kërkues, të protestojmë më shumë dhe të marrin pjesë masivisht në zgjedhje.
Politika është punëdhënësi më i madh në Shqipëri. Kjo e bën jetike lidhjen e shqiptarëve me të. Militimi në parti të jep një pozicion drejtues, në një administratë publike të fryrë, e kontrolluar kryekëput nga partia në pushtet, pa përmbushur asnjë kriter profesional. Partia në pushtet mund të të japë edhe një rrogë çdo muaj pa punuar asnjë ditë të vetme. Mjafton të jesh besnik ndaj saj. Punësimi fiktiv në administratën publike dhe fotografimi i votës janë të pranishme në Shqipëri. Manipulimi i zgjedhjeve gjithashtu. Kjo panoramë e dekurajon të riun shqiptar të merret me politikë. Aksesi në media për politikanët e rinj është i kontrolluar nga kryetarët e partive, shpesh herë i sponsorizuar dhe scripted. Shfrytëzimi i të rinjve si dekor politik ka goditur besueshmërinë e tyre. Mundësia për të përgënjeshtruar informacionin e rremë që ka target të rinjtë në politikë është e kufizuar. Media sociale mbetet hapësira e vetme për këtë kategori. Një dukuri tjetër, e huazuar, është tokenizmi. Të rinj në funksione drejtuese përdoren si karrem për të rekrutuar bashkëmoshatarët e tyre në parti. Model dekurajues për të rinjtë që kanë ambicie politike. Indoktrinimi politik është aq larg arsyes. Saqë në protestat studentore të vitit 2018, shumë prindër, mosha të mesme dhe të treta, mbështesnin qeverinë dhe përsërisnin retorikën e saj kundër të rinjve. Kryeministri i quante të rinjtë “jo profesionistë”, “përtacë” dhe protestat “justifikim për të lënë mësimin”. Partitë e themeluara dhe drejtuara nga të rinj nuk e kanë kaluar pragun elektoral. Prandaj të rinjtë priren t’i bashkëngjiten partive të mëdha. Shqipëria po shpopullohet, veçanërisht nga të rinjtë e arsimuar, duke ia lënë të ardhmen e vendit kastës së vjetër politike, e cila është përkujdesur që diaspora të mos ketë mundësi vote.

 

Belind Këlliçi ka qenë Kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike në Shqipëri, për vitet 2015-2022. Aktualisht është deputet i Partisë Demokratike