Gati 1% e maqedonasve e konsiderojnë Bullgarinë një vend mik, dhe rreth 80% e bullgarëve shpresojnë që qeveria bullgare të vendosë veton për negociatat e pranimit në BE të Maqedonisë. Çështja e marrëdhënieve maqedonase –bullgare ngadalë po e lë hapësirën e konfliktit ndërmjet elitave, dhe po hyn në hapësirën e një konflikti midis kombeve. Analistët politikë mendojnë se situate aktuale e vë në pikëpyetje të ardhmen Europiane të Ballkanit.

E shkruar nga: Petar Todorov

Historia, apo më mirë debati mbi ‘të vërtetat historike’ duket se është kthyer si një temë e nxehtë e marrëdhënieve maqedonase -bullgare. Nëse është bërë kjo në një kontekst Marksist rreth 30 vjet më parë, tani po bëhet në kontekstin Europian.

Po shkëmbehen akuza dhe shpifje, dhe studimet e fundit tregojnë se gati 1% e maqedonasve e konsiderojnë Bullgarinë një vend mik, dhe rreth 80% e bullgarëve shpresojnë që qeveria bullgare të vendosë veton për negociatat e pranimit në BE të Maqedonisë. Çdokush që e njeh historinë maqedonase – bullgare sheh diçka të ngjashme me historinë e tij. Gjithkush ka mallkimin e vet historik, gjithmonë aty për të ‘ndihmuar’ kur problemet reale kanë nevojë të harrohen.

Çfarë duhet bërë për të sjellë ndryshim kur mungon mbështetja institucionale? Ka shumë iniciativa të drejtuara nga historianët dhe ata që merren me të kaluarën në një mënyrë apo në një tjetër – projekte shkencore, debate, deklarata, ngjarje mediatike, komisione për tekstet e historisë e kështu me radhe. Të gjitha këto veprimtari sjellin rezultate – mbase jo rezultatet e pritura, por ato rrisin ndërgjegjësimin për perspektivat e ndryshme, për një depolitizim të së kaluarës dhe proceset e demokratizimit. Ajo që mungon është bashkëpunimi, solidariteti midis intelektualëve, aktivistëve, politikanëve dhe të gjithë atyre që janë kundër një politizimi të historisë dhe abuzimit të saj për t’i shërbyer qëllimeve politike dhe nacionaliste. Për fat të keq, është shumë e veshtirë që të mobilizohen historianët, aktivistët dhe intelektualët maqedonas, le të themi, në Bosnjë Hercegovinë. Për të mos përmendur krimet e luftës dhe trashëgiminë e luftës që erdhi pas rënies së Jugosllavisë socialiste. Për maqedonasit, ajo është një çështje e boshnjakëve, kroatëve, dhe serbëve, jo e maqedonasve. Unë besoj së edhe qytetarët e Bosnjë Hercegovinës nuk kanë dijeni për çështjet me të cilat përballet shoqëria maqedonase, përtej mbulimit sipërfaqësor mediatik dua të them. Ky është rezultat i gjendjes së përgjithshme të shteteve tona të vogla, dhe flet për mungesë ndjeshmërie dhe solidariteti, mungesë mbështetjeje brenda qarqeve liberale dhe demokratike.

Për t’iu rikthyer çështjet maqedonase-bullgare. Gjatë dy muajve të kaluar, kjo është bërë një çështje mbijetese politike, një çështje thelbësore që ngadalë po del jashtë hapësirës së konfliktit midis elitave, dhe po kthehet në një konflikt midis kombeve. Analistët politikë mendojnë se situate aktuale e vë në pikëpyetje të ardhmen Europiane të Ballkanit. Reagimet e vetme kanë ardhur nga historianët në Bullgari, dhe disa nga Maqedonia. Kanë folur edhe dy apo tre ekspertë nga Gjermania dhe Austria. Heshtja e shumë historianëve, intelektualëve, dhe organizatave që merren me këto çështje jo vetëm në Maqedoni dhe Bullgari por edhe në vendet e tjera të Ballkanit dhe Europës, flet më qartë sesa fjalët. Në mënyrë të ngjashme me mohimin e genocidit në Srebrenicë, shumë intelektualë në Maqedoni po komentojnë nga zyrat e tyre dhe kafenetë se situata nuk është shumë e mirë. Roli i intelektualëve nuk është ta kufizojnë punën e tyre në shkrimin e artikujve dhe komunikimin e ideve të tyre tek një pakicë që ndajnë të njëjtin mendim me to. Ka mungesë mbështetjeje nga institucionet  shtetërore, dhe ndaj ne kemi nevojë për më shumë veprimtari dhe solidaritet, dhe një platformë më të fortë për zërat e të gjithë atyre që përfaqësojnë idetë e demokracisë dhe pajtimit, dhe që janë kundër abuzimit të së shkuarës për t’i shërbyer axhendave politike dhe nacionaliste.

 

Petar Todorov është historian në Institutin Kombëtar të Historisë në Shkup. Që nga vitit 2018, është anëtar i Komisionit të Përbashkët për Çështjet e Historisë dhe Arsimit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë