Në gjithë atë përzierje platformash të ngushta partiake, nuk ka asnjë konfrontim të vërtetë ideologjik mes të majtës dhe të djathtës dhe as partitë nuk kanë ndonjë konsistencë ideologjike.

Atanas Kirovski

Mjedisi politik maqedonas është një konglomerat i llojeve të ndryshme të partive politike që e perceptojnë dhe praktikojnë pushtetin si një shans për t’u pasuruar; nga ana tjetër, anëtarët e tyre dhe simpatizantët i perceptojnë partitë si agjenci punësimi. Në gjithë atë përzierje platformash të ngushta partiake, nuk ka asnjë konfrontim të vërtetë ideologjik mes të majtës dhe të djathtës dhe as partitë nuk kanë ndonjë konsistencë ideologjike. Paradoksi është se në Maqedoni ishte e majta ajo që bëri privatizimin dhe aktualisht duke qenë në pushtet praktikon politikën më konservatore të taksës së sheshtë të trashëguar nga qeveria e mëparshme e së djathtës. Kryeministri i mëparshëm Zaev paralajmëroi reforma tatimore për një shoqëri më të drejtë dhe zvogëlim të shtresimit social, por shumë shpejt hoqi dorë nga kjo reformë kyçe dhe në mënyrë hipokrite iu kthye një takse të sheshtë. Nga ky aspekt, nuk ka dallim në shoqëri nëse sundon e djathta apo e majta, dhe ndjenja e qytetarëve është zhgënjimi dhe apatia politike e shprehur përmes korit “të gjithë janë njësoj”. Pas sundimit të gjatë të së djathtës në shoqërinë maqedonase, u shfaq një shprehje autentike për një shoqëri më të mirë dhe më të drejtë, e shprehur përmes protestave të përditshme të të ashtuquajturit ‘Revolucioni Shumëngjyrësh’ i cili u përpoq t’i jepte ngjyrë ‘botës bardh e zi’ depresive. – lajtmotivi i tranzicionit të pafund maqedonas, por pas ardhjes në pushtet të LSDM-së e kompromentoi këtë ide.

Aktualisht, ajo që bën dallimin mes palëve është qëndrimi ndaj të ashtuquajturave çështje kombëtare, ku socialdemokratët janë më të butë dhe të gatshëm për të bërë kompromise, për të shtyrë axhendën europiane të shtetit, ndryshe nga e djathta, që është shumë më e ngurtë. Paradoksi më i madh në skenën politike është Partia e Majtë, e cila po përpiqet të pushtojë ekstremin e majtë të spektrit politik, me parullat bolshevike që mbrojnë një ‘diktaturë të proletariatit’ dhe kërcënime për konfiskimin e kapitalit dhe bizneseve private nëse vijnë në pushtet, por në të njëjtën kohë janë nacionalistë të flaktë dhe janë të angazhuar në një ‘tendencë etnike’ me të djathtën se kush është patriot më i madh dhe diskursi i tyre politik i bën më shumë fashistë se sa majtist.

Karakteristika tipike e së djathtës maqedonase kur ishte kryeministër Nikolla Gruevski ishte mitomania ndaj të kaluarës së lavdishme të lashtë të kombit. Me ndërtimin e monumenteve madhështore të Aleksandrit të Madh dhe Filipit II në qendër të Shkupit, ai arriti të komunikojë simbolikisht me elektoratin që e mbështeti duke ua shitur me sukses projeksionin shtresave të varfëra dhe të paarsimuara se kombi maqedonas ishte dikur më i fuqishmi. Ai projeksion, ‘sot jemi të vegjël dhe të varfër, por shikoni simbolet e asaj që ishim dikur’, që do të thotë ‘do t’i kthehemi lavdisë së vjetër’, funksionoi me sukses për një dekadë të tërë; kjo, nga ana tjetër, përkeqësoi më tej marrëdhëniet me Greqinë, e cila po përpiqet me dëshpërim t’i provojë botës se janë të vetmit me të drejtën e trashëgimisë helenistike. Sot e djathta e ka braktisur atë narrativë dhe po i drejtohet historisë së fundit dhe konfliktit me Bullgarinë për keqkuptimet historike. Kjo aprovohet edhe tek pjesa e popullatës që tradicionalisht nuk pajtohet me politikat e VMRO-së, para së gjithash për shkak të qëndrimit mohues të Sofjes zyrtare ndaj kombit dhe gjuhës maqedonase, dhe politikave të lëmuara të LSDM-së që të lënë përshtypjen se ata janë gati të pranojnë pothuajse të gjitha kërkesat e Sofjes.

Në përgjithësi, mjedisi politik maqedonas është plotësisht i zbrazët nga çdo vlerë apo politikanë/parti që do të frymëzonte ndonjë agjendë të qëndrueshme ideologjike, dhe është reduktuar në akuza të përditshme të parëndësishme ndërmjet partive se kush kryen abuzime të mëdha me pushtetin; po bëhet vërtet e vështirë të bëhet dallimi mes kush është i majtë dhe kush është i djathtë dhe cilat janë ideologjitë e tyre autentike.

 

Atanas Kirovski, gazetar dhe analist politik