Mbi të gjitha duhet thënë se Enver Hoxha ngriti kultin e tij, veshur me imazhin e “prijësit”, duke ditur që në historinë shqiptare ky i fundit gjithmonë ka qenë i hyjnizuar. Po ashtu ai u vesh me imazhin e “babait”, çka frymëzonte sidomos popullsi rurale, të edukuara me mentalitete patriarkale.

Artan Fuga

Kur flitet për mënyrën si ka qeverisur Enver Hoxha Shqipërinë nga përfundimi i Luftës së Dytë botërore deri sa vdiq në vitin 1985, nuk mund të mos thuhet se karakteristika themelore e pushtetit të tij ishte sundimi personal.

Është historia e dikujt që rrethanat pas sulmit të nazistëve kundër Bashkimit Sovjetin në 1941, arriti që të vendosi kontrollin mbi atë që u quajt Partia Komuniste Shqiptare, e krijuar në nëntor 1941. Rastësia shpesh është në origjinë të prirjeve të mëvonshme që përcaktojnë historinë. Dëshmitarë të shumtë, drejtues komunistë të asaj kohe, kanë pohuar në kohë të ndryshme, se ai u thirr pothuajse rastësisht në mbledhjen themeluese të organizatës të komunistëve shqiptarë.

Mazokist, i nënshtruar deri në përulësi, ndaj aleatëve të tij të jashtëm, dhe i ashpër deri në sadizëm për të goditur dhe eliminuar kundërshtarët e vet politikë, shtresat sociale armiqësore me pushtetin komunist në Shqipëri, si edhe pa kursyer edhe një numër të madh nga shokët e tij. Po kështu, ai e ngriti pushtetin e tij personal duke ribërë aleancat e tij të jashtme sa herë që lidhja me një shtet i kërcënonte pushtetin e tij personal. Ai arriti të vendosi pushtetin e tij mbi partinë komuniste shqiptare dhe të marrë pushtetin dhe ta forcojë atë me ndihmën e Jugosllavisë të Titos. Por, në vitin 1948, ai e braktis këtë aleancë për t’u lidhur me Stalinin. Kur ky i fundit sulmohet për kultin e individit nga Hrushovi, Enver Hoxha bëhet një nga mbështetësit ideologjikë më aktivë për të kritikuar këtë kult, çka del në pah kur i referohesh fjalës së tij në Kongresin e tretë të Partisë të Punës së Shqipërisë në vitin 1956. Por duke u luhatur mes Hrushovit dhe simbolit të Stalinit, Enver Hoxha sheh se drejtuesit e tjerë të vendeve socialiste hiqen njeri pas tjetrit nga pushteti. Duke ndjerë rrezikun, në 1961, ai braktis Hrushovin dhe kampin e vendeve socialiste, dhe lidhet me Kinën e Mao Ce Dunit, e cila ishte në kërkim të një aleati në Evropë. Edhe kur në vitin 1978, Enver Hoxha ndahet nga Kina, ai mbron një strategji gjeopolitike për të qëndruar jashtë të dy sferave të influencës. Në një farë mënyre kënaqte edhe bllokun lindor, sepse e siguronte që nuk do ta hapte Shqipërinë ndaj Perëndimit, kënaqte edhe bllokun Perëndimor sepse e siguronte këtë që nuk do të kthehej më në kampin e vendeve socialiste dhe nën influencën sovjetike

Këtu nis edhe kulti i tij ngritur nga propaganda që e paraqet si patrioti, heroi kombëtar,  strategu, i papërsëritshmi.

Në dy dekadat e para të sundimit të tij, Enver Hoxha me mbështetjen staliniste, ndërmori një sërë masash me karakter popullor, shtetëzime, reformën agrare, ngritjen e sistemeve masive të shërbimit mjekësor, bonifikime, etj. Kjo pati efekte në ndikimin e ndërgjegjes kolektive të shtresave të gjëra me kultin e tij.   Gradualisht, me degradimin e ekonomisë, në vitet 70 e tutje, imazhi i tij nisi të pësojë një rënie të pandërprerë. Por, sa më tepër që ai gërryhej në popull, aq më shumë e frynte propaganda zyrtare.

Mbi të gjitha duhet thënë se Enver Hoxha ngriti kultin e tij, veshur me imazhin e “prijësit”, duke ditur që në historinë shqiptare ky i fundit gjithmonë ka qenë i hyjnizuar. Po ashtu ai u vesh me imazhin e “babait”, çka frymëzonte sidomos popullsi rurale, të edukuara me mentalitete patriarkale.

Edhe dështimi i komunizmit shqiptar do të përmblidhej te akuza masive ndaj Enver Hoxhës. Jo më kot, ngjarjet që shënuan ndarjen me komunizmin shqiptar ishte rrëzimi i statujës të Enver Hoxhës në 21 shkurt 1991 në sheshin qendror të Tiranës.

 

Artan Fugaështë anëtar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë. Është pedagog në Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës, si dhe në Paris.