Të qenit i përfshirë në vorbullën e stresit, i kuptuar nga shumica që vuan njësoj si ti, sistemi i informacionit dhe rënia e paragjykimit për problemet e shëndetit mendor, ka rritur ndjeshëm numrin e rasteve që kërkojnë ndihmë për të përballuar, stresin, ankthin dhe frikërat aktuale.

Arjana Rreli

Kohët që po jetojmë dhe cdo ditë që kalon, po na bën gjithnjë e më tepër të ndërgjegjshëm për sa është i rëndësishëm shëndeti dhe për më tepër shëndeti mendor.

Ne të gjithë jemi dëshmitarë të fillimit të kësaj lufte me të papriturin, të padukshmin, dinakun dhe në disa raste edhe me vrastarin. Si të tillë, askush nga ne, nuk mund ti shmanget stresoreve që kryesohen nga e panjohura. Ekujlibrat tanë mendore sociale e okupacionale po ndjehen të kërcënuar.

Ecuria e gjatë e kësaj pandemie që është duke kaluar 1 vjetorin e saj, vazhdon të rrugëtojë drejt një finaleje ende të panjohur në kohë. Mekanizmat tanë përshtatës gjenden shpesh përballë ndryshimeve të formës dhe agresivitetit të këtij virusi, pasojave në shëndet, në mbarevajtjen e aktiviteteve dhe të jetës tonë të përditshme.

Në këtë kohë, shqiptarët që ende nuk kishin rimarrë qetësinë nga tërmeti i 26 dhjetorit dhe pasojat e tij, duhet të përballen edhe me sfidat e Covid-19. Në këtë përballje, ankthi, frika dhe depresioni janë të pranishme në shumicën e popullatës dhe për një pjesë të madhe të kohës. Pasiguria për shëndetin vetjak, ate të familjarëve, efektet e periudhës së karantinës, pasojat në raportet afektive, lëkundja e gjendjes ekonomike dhe të tjera specifika të kësaj pandemie, kanë sjellë rritje të numrit të personave që kërkojnë ndihmën për herë të parë në shërbimet e shëndetit mendor.

Duke përfshirë edhe vetë ndikimin e virusit dhe pasojat e tij fizike dhe psikike, rreziku qëndron në faktin se problemet bëhen pjesë e jetës sonë të përditshme, me të cilat na duhet të bashkëjetojmë dhe që nga ana tjetër na rrezikon ndaj stresit kronik.

Stigma, që historikisht ka vonuar evidentimin e problemeve dhe kërkimin e ndihmës, sot duket të jetë më e reduktuar. Të qenit i përfshirë në vorbullën e stresit, i kuptuar nga shumica që vuan njësoj si ti, sistemi i informacionit dhe rënia e paragjykimit për problemet e shëndetit mendor, ka rritur ndjeshëm numrin e rasteve që kërkojnë ndihmë për të përballuar, stresin, ankthin dhe frikërat aktuale.

Në këto kushte, ndërhyrjet në shëndet mendor konsistojnë në nevojën e një bashkëpunimi më të ngushtë të të gjithë profesionistëve që punojnë në këtë fushë. Ndihma e tyre sot është jo vetëm e nevojshme, por edhe e domosdoshme. Asistenca që ofrojnë infermjerët dhe terapistët, këshillimi që bëjnë punonjësit sociale, mbështetja emocionale që japin psikologët dhe terapitë medikamentoze të propozuara nga psikiatri, janë sot disa nga instrumentat që mundësojnë mbështetjet komunitare dhe  ndërhyrjet efektive në shëndetin mendor, që duket se është cenuar rëndësishëm.

Në këto kohë ndryshimesh të mëdha dhe të shpejta, kërkohen mënyra të reja bashkëpunimi dhe organizimi të kapaciteteve, për të ofruar maksimumin e ndihmës terapeutike dhe rehabilituese, për të përfituar maksimumin e efekteve pozitive në shëndetin mendor të popullatës.

Në këtë luftë jemi të gjithë bashkë dhe nëse kontributi dhe pjesëmarrja e secilit prej nesh do të jetë maksimale, betejat do të bëhen më të lehta dhe fitorja do të jetë më e afërt!

 

Arjana Rreli punon si mjeke psikiatre që nga viti 1996 dhe vazhdon të ofrojë asistencën e saj profesionale në këtë fushë në shërbimet komunitare të shëndetit mendor në Tiranë.