Lumenjtë janë sikur venat e gjakut që rrjedhin nëpër trupin e njeriut. Paramendoni se çfarë probleme mund të ketë trupi i njeriut sikur ta kishte të bllokuar një venë të gjakut diku në trup, e kështu i ndodh një lumi kur lejohet ndërtimi i hidocentraleve në të.

Paramendoni sikur gjaku i njeriut të jetë i ndotur ashtu sikur ne kemi ndotur lumenjtë tanë. Paramendoni sikur të gërryejmë venat e gjakut sikur ne kemi gërryer pa pikë mëshire shtretërit e lumenjve tanë.

Ashtu sikur gjaku që bart oksigjenin nëpër trupin tanë, edhe lumenjtë janë bartësit e okisgjenit për vendin tanë. Pa lumenj nuk ka jetë. Me marrjen e ujit nga lumenjtë tonë për hidrocentrale jemi duke ua marrë oksigjenin fëmijëve tanë, sepse tharja e lumit nuk ka ndikim vetëm në shtratin e tij, por ka ndikim direkt në tërë florën dhe faunën përreth. Me tharjen e lumit, edhe gjallesat me kilometra më larg lumit do të ndikohen.

Pra, banorët lokal në Brezovicë që po kundërshtojnë ndërtimin e hidrocentraleve në lumin e tyre, banorët ne Biti që po kundërshtojne marrjen e ujit të lumit nga i cili mbijetojnë, aktivistët në Deçan që kanë nxjerrë në pah shkeljet ligjore me hidrocentralet në lumin e tyre, qytetarët e Pejës qe masivisht dolën në protestë për të kundërshtuar ndërtimin e hidrocentraleve në Lumbardhin e Pejës, aktivistët e Bunarfestit që po kundërshtojnë hidrocentralet në Lumbardh të Prizrenit, shoqata Gjethi nga Kaçaniku që është duke luftuar vite të tëra për Lepencin, janë heronjtë e sotëm, që janë duke e mbrojtur të ardhmen tanë dhe të fëmijëve tanë, duke luftuar për ujin e lumenjve tanë.

Ekziston një jo transparencë totale në ndërtimin e hidrocentraleve. Banorët lokal e kuptojnë se po ndërtohet një hidrocentral atëherë kur i shohin buldozerat duke filluar ta gërryejnë lumin, prandaj edhe gati se çdo ndërtim i hidrocentraleve është përcjellur me pakënaqësi sociale. Në rastin e Bitisë, dëgjimi publik është mbajtur në Kaçanik, me dhjetëra kilometra larg nga vendi ku do të ndërtohej hidrocentrali.

Sipas kontratave që kanë hidrocentralet me autoritetet kompetente, ata do të mund të përdorin 70% të ujit për prodhimin e energjisë elektrike. Duke marrë parasysh se lumenjtë tanë vetëm se janë të ndotur nga ujërat e zeza që derdhen direkt në lum, pra kur të llogaritet se do të largohet edhe 70% e sasisë së ujit, atëherë lumenjtë tanë do të shndërrohen në kanalizim dhe asgjë më shumë, sepse niveli i ujërave të zeza nuk do të zvogëlohet, përderisa po ulet niveli i ujit në pellgjet e lumenjve.

Qytetarët e Kosovës, kanë treguar se dinë t’i lënë anësh edhe ndasitë kombëtare për t’i mbrojtur lumenjtë. Ajo çka duhet të bëhet është rritja sa më e madhe e presionit publik në politikanët lokal, si dhe ata qendrorë që Kosova të ndjek shembullin e Malit të Zi dhe Bosnjë dhe Hercegovinës dhe të ndalohen komplet hidrocentralet e vogla. Nëse krahasohet dëmi që këto hidrocentrale ia bëjnë natyrës, me atë sa energji prodhojnë, nuk ka asnjë logjike ekonomike që të lejohet ndërtimi i tyre.

Ju ftoj të gjithëve që të nënshkruani peticionin e WWF Adria për ndalimin e hidrocentraleve te vogla, në linkun më poshtë:

https://losingrivers.com/alb/

 

Ardian Nrecajv, aktivist mjedisor