Njerëzit që mbajnë një dietë të shëndetshme me fruta dhe perime kanë rrezik dukshëm më të ulët që të preken nga obezitetit, sëmundjet e zemrës, diabetit dhe disa lloje të kancerit.

Arbisa Shefkiu

Genci zgjohet çdo ditë në ora 08:00. Ai menjëherë hap frigoriferin për të pirë një gota ‘Cola’  dhe merr një çokollatë me vete në shkollë. Pothuajse njësoj vepron edhe motra e tij, nëna e babai.

Familja e tij pak besojnë në teorinë se mënyra se si ushqehemi definon funksionimin e trupit dhe trurit tonë.

Madje për ta, termi ‘dietë’ nënkupton të mos hash asgjë gjithë ditën dhe e konsiderojnë si një lloj termi në ‘modë’. Por, në fakt sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, dieta përfshin një kombinim të ushqimeve të ndryshme të shëndetshme për trupin dhe trurin e njeriut.

OBSh po ashtu sqaron se një dietë e shëndetshme nënkupton që të hani sa më shumë perime dhe fruta, të hani sa më pak ushqime që kanë yndyrë si dhe të kufizohet përdorimi i sheqerit dhe i kripës, të pini sa më shumë ujë si dhe të hani ushqime të detit.

Por, cilat janë dobitë e këtyre ushqimeve në shëndetin tonë?

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka treguar se perimet dhe frutat janë burime të rëndësishme të vitaminave, mineraleve, fibrave, proteinave dhe antioksidantëve. Sipas kësaj organizate, njerëzit që mbajnë një dietë të shëndetshme me fruta dhe perime kanë rrezik dukshëm më të ulët që të preken nga obezitetit, sëmundjet e zemrës, diabetit dhe disa lloje të kancerit.

Ndërsa, personat që përdorin yndyrërat dhe vajrat e ngopura, që prodhohen në mënyrë industriale, rrisin rrezikun e prekjes së sëmundjeve të zemrës dhe goditjes në tru. Si alternativë është rekomanduar që të përdorën vajra vegjetale siç janë, vaj ulliri, soje dhe misri dhe konsumimi i tyre nuk duhet të kalojë 30% të marrjes së përgjithshme të energjisë së një personi.

Po ashtu, për një dietë të shëndetshme, sheqernat duhet të përfaqësojnë më pak se 10% të konsumit tuaj të përgjithshëm të energjisë. Sipas OBSh-së, zgjedhja e frutave të freskëta në vend të ushqimeve të ëmbla si biskotat, ëmbëlsirat dhe çokollata ndihmon në zvogëlimin e konsumit të sheqernave.

Edhe sa i përket sasisë së kripës, zvogëlimi i përdorimit të saj parandalon hipertensionin dhe sëmundjet e zemrës.

Mitet për ushqimet

Disa nga mitet që shpesh përdoren duke ju referuar dietave janë: Të humbësh peshë nënkupton të heqësh dorë nga të gjitha ushqimet që të pëlqejnë, duhet të mos i përdorni produktet e drithërave si buka, makaronat dhe orizi, produktet e qumështit janë jo të shëndetshme dhe të trashin, të bëheni vegjetarian të ndihmon të humbësh peshë.

Por, këto mite, sipas Institutit Kombëtar për Diabet dhe Sëmundje të Veshkave nuk qëndrojnë. Ata konsiderojnë se nuk duhet të hiqni dorë nga të gjitha ushqimet tuaja të preferuara kur përpiqeni të humbni peshë. Sasi të vogla të ushqimeve tuaja të preferuara me kalori të lartë mund të jenë pjesë e planit tuaj për humbje peshe, por vetëm duhet të zvogëloni sasinë. Sipas Institutit, për të humbur peshë, duhet të digjni më shumë kalori sesa merrni përmes ushqimit dhe pijeve.

Ata po ashtu konsiderojnë se ushqimet e drithërave siç është buka dhe pastat, janë të shëndetshme dhe ju mbajnë të ngopur gjatë.. Drithërat e plota sigurojnë hekur, fibra dhe lëndë ushqyese të tjera të rëndësishme.

Një gjë që duhet cekur është se sot, zhvillimi i teknologjisë ka bërë që vetëm më një kërkim mund të gjesh dieta dhe këshilla për ushqime të shëndetshme nga nutricistët më të mirë në gjithë botën, edhe pse në Kosovë ka disa dietologë dhe nutricistë që mund të japin këshilla dhe dieta për njerëzit që kanë nevojë. Megjithatë, ende nuk dihet saktë numri i nutricistëve dhe dietologëve që veprojnë në Kosovë.

Por, ajo çka vlen të theksohet është se në Kosovë, në universitetet publike nuk ka ndonjë drejtim të specializuar për nutricistë, por janë si lëndë në kuadër të studimit në Fakultetet e Bujqësisë në drejtimin Teknologji Ushqimore. Ndërsa, në kolegje private ekziston një gjë e tillë.

Andaj, e shoh si alternativë që universitete publike të konsiderojnë hapjen e programeve të specializimit për dietologë dhe nutricistë si dhe të bëhet më shumë promovimi i këtij profesioni në nivel vendi, pasi që mënyra se si ushqehemi ka shumë rëndësi për jetëgjatësinë dhe shpesh herë nga jeta dinamike që na është krijuar e harrojmë rëndësinë e saj.

 

Arbisa Shefkiu is a journalist from Kosova