Përfaqësuesit e turizmit nuk lënë në asnjë moment pa kritikuar qeverinë se sipas tyre nuk i mbështeti në asnjë moment si bënë qeveritë e rajonit, duke i lënë në harresë.

Arbër Hitaj

Dikur konsideroj si sektori me potencialin më të madh, por sot sektori i turizmit pa asnjë dyshim që renditet ndër më të goditurit në Shqipëri, që nga aplikimi masave për parandalimin e përhapjes së Covid-19 në pranverën e vitit 2020.

U deshën pak muaj karantinë që një indsutri e ndërtuar në shumë vite, të zhytet në paqartësi ekzistenciale për të ardhmen. Shifrat tregojnë një realitet të zymtë. Në raportin e fundit të INSTAT, rezulton se turizmi ka kontribuar për ekonominë shqiptare vetëm 3.23% gjatë vitit 2020. Krahasimisht shumë më ulët me 2019, në të cilin, turizmi kishte një peshë me 20% në GDP e vendit. Rënia tregon për një krizë të fortë që sektori po kalon dhe që sipas raporteve të rëndësishme të “Standart&Poors”, nuk do të ketë rimëkëmbje as në 2021.Me mutacionet e reja të Covid-19, e ardhmja duket edhe më e zymtë.

Të dhënat zyrtare të publikuara nga INSTAT flasin për një krizë të madhe në sektor. Në vitin 2020 pati rreth 900 mijë netë më pak, krahasuar me 2019. Rënie shkoi në 45%.  Agjensitë e turizmit janë më të prekurat. Shumica janë detyruar të mbyllin aktivitetin, ndërsa më pak të prekura janë aktivitetet e hotelerisë, apo bar-restorantet. Pavarësisht shifrave konkrete, për qeverinë ky sektor ka performuar mirë gjatë vitit 2020 sidomos muajt e verës. Vetëm pak ditë më parë në një takim me banorë të qytetit të Vlorës, një nga zonat më të lakmuara për turizmin bregdetar, kryeministri Edi Rama tha se turizmi në 2020 nuk ishte me humbje. “Kjo lidhet ngushtë me masat e marra nga qeveria për të hapur dyert ndaj shteteve fqinje, në veçanti Kosovën”, tha ai. Për kryeministrin problemi qëndron te media dhe te vetë pronarët e hoteleve, të cilët pavarësisht se i kanë patur plot dhomat, në media thonë tjetër gjë. Por ky optimizëm i kreut të qeverisë, has në kundërshti të mëdha nga drejtuesit kryesorë turistik të vendit.

Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Turizmit Zak Topuzi, duke folur për TV SCAN në fillim të muajit Shkurt 2021, tha: “Do jetë vit i vështirë nga panorama në sfond. Variantet e reja të Covid, sërish kanë ngjallur shqetësim. Agjensitë Europiane, si përfaqësuesit kryesor të numrave me turist në Shqipëri kanë mbyllur kufijtë për lëvizjet. Nëse vazhdohet kështu parashikohet një sezon më i vështirë edhe se 2020. Është industria më e prekur dhe me e pastimuluar”. Të njëjtin qëndrim mban edhe zoti Kliton Gërxhani kreu i Tur Operatorëve të Shqipërisë. Sipas tij impakti negativ në turizëm është reflektuar edhe në punësimet, pasi llogaritet se agjensitë turistike kanë reduktuar stafin e tyre në pothuasje 70%, që automatikisht janë shtuar radhët e të papunëve. “Është goditje e madhe dhe në punësim. Sepse edhe sikur te marrim mbështetje kemi shumë punonjës të humbur çdo ditë e më shumë dhe është e vështirë ti rikthesh dhe të fillosh nga zero.

Kapacitetet njerëzore ne këto 20 vite janë ata që prodhojnë këtë volum të ardhurash. Disa kanë ikur, emigruar apo filluar në një vend tjetër, gjithmonë e më pak kanë ngelur mendje të kualifikuara”, thotë Gërxhani. Përfaqësuesit e turizmit nuk lënë në asnjë moment pa kritikuar qeverinë se sipas tyre nuk i mbështeti në asnjë moment si bënë qeveritë e rajonit, duke i lënë në harresë. E megjithatë pandemia dhe ndalimi, mund të japë një shtysë të re për të rikonceptuar disa modele të turizmit, duke u dhënë frymëmarrje bujtinave dhe turizmit kulturor, lënë në plan të dytë. Pavarësisht problematikave ekspertët mendojnë se ka dritë në fund të tunelit. Kjo lidhet me akumulimin e dëshirës te njerëzit për të udhëtuar që në rastin me optimist pritet te jetë një valë e madhe, megjithatë frika për një skenar më të rëndë se ai i 2020 mbetet ende.

 

Arbër Hitaj është gazetar dhe drejtues i emisionit që trajton tema të aktualitetit “60 Minuta” në RTV Scan.