Rruga e vendeve të BP drejt një të ardhmeje evropiane kërkonte përpjekje serioze për të arritur progres të dukshëm në procesin e reformave, në zgjidhjen e problemeve, ende të pazgjidhura, të brendshme dhe dypalëshe dhe në arritjen e pajtimit brenda dhe mes shoqërive në rajon.

Arben Cici

Procesit të Berlinit u iniciua më 28 gusht 2014 nga kancelarja gjermane Merkel. Kjo nismë, e mbështetur edhe nga Komisioni Evropian, ka qëllim normalizimin dhe ridimensionimin e marrëdhënieve dypalëshe mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe promovimin e bashkëpunimin rajonal në dobi të perspektivës evropiane.

Viti 2014 përkonte me njëqind vjetorin e shpërthimit të Luftës së Parë Botërore dhe gati me 20 vjetorin e përmbylljes së Luftës shpërbërëse të Jugosllavisë, fantazmat e së cilës gjallonin ende në qiellin e BP.

Qëllimi i PB ishte dhe është i qartë: të gjitha vendet e BP së bashku, nën modelin e vendeve të BE-së, për një paqeje të qendrueshme dhe afatgjatë drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Kjo nismë erdhi në kohën e duhur. Ajo ngjalli optimizmin e tronditur, si nga deklarata e Presidentit të Komisionit Jean Claude Junker mbi ndalimin e zgjerimit në 5 vitet e ardhshme, ashtu edhe nga rritja e dukshme e euroskeptikëve në institucionet e Brukselit.

Rruga e vendeve të BP drejt një të ardhmeje evropiane kërkonte përpjekje serioze për të arritur progres të dukshëm në procesin e reformave, në zgjidhjen e problemeve, ende të pazgjidhura, të brendshme dhe dypalëshe dhe në arritjen e pajtimit brenda dhe mes shoqërive në rajon. Forcimi i bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe hedhja e bazave për një rritje ekonomike të qëndrueshme kompletojnë kornizën detyruese të nismës së PB .

Nga viti 2014 Samiti i PB është organizuar tetë herë (Berlin, Vjenë, Paris, Trieste, Londër, Poznan, Sofje/Shkup dhe Berlin) duke zmadhuar, jo vetëm hartën gjeografike evropiane të pjesëmarrëeve, por edhe duke thelluar më tej qasjen ekonomike ndaj bashkepunimit rajonal.

Sot, pas 8 vitesh të Procesit të Berlinit, integrimi i rajonit është futur në një proces të matshëm dhe, pavarësisht vështirësive, si pasojë e krizës Covit-19, Komisioni ka përcaktuar kuadrin kryesor për mbështetjen e rimëkëmbjes dhe bashkëpunimit ekonomike të rajonit nëpërmjet Planit ambicioz Ekonomik dhe Investimeve. Plani parashikon mobilizimin e deri në 9 miliardë euro fonde granti deri në vitin 2028 dhe 20 miliardë euro në kredi, të mbështetura nga Lehtësia e re e Garancisë për BP (Western Balkans Guarantee Facility).

PEI i miratuar nga Komisioni në tetor 2020, mbulon projektet kryesore në fushat e rëndësishme të energjisë së qendrueshme, tranzicionit të gjelbër dhe dixhital, lidhjeve dixhitale, infrastrukturës dhe zhvillimit të sektorit të biznesit e kapitalit njerëzor, për të parandaluar ikjen e mëtejshme të trurit, sidomos të të rinjve.

Përthithja me sukses e PEI kërkon më shumë përparim në integrimin ekonomik të rajonit dhe përmirësim në infrastrukturën e përbashkët ligjore ekonomike.

Në anën tjetër sfida e PB për të bërë realitet projektin ambicioz të Tregut të Përbashkët Rajonal (CRM) kërkon përpjekje vendimtare, serioze, gjithëpërfshirëse dhe konstruktive në përshpejtimin e modernizimit dhe qendrueshmërisë ekonomike dhe arritjen e standardeve socio-ekonomike të BE-së.

PB ka shërbyer si një inkubator për shumë iniciativa që tashmë janë bërë pjesë integrale e politikës së BE-së kundrejt vendeve të BP nënvizon sot Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, ndërsa Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi, vlerëson rëndësinë dhe dobinë e këtij procesi me ndikimin e tij në “mbylljen e hendekut socio-ekonomik midis BP dhe BE-së, i cili është thelbësor për procesin e zgjerimit”.

Roli kyç i Procesit të Berlinit si një shtytës i bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor brenda kontekstit më të gjerë të procesit të integrimit në BE mirëpranohet nga të gjithë. Ky proces mbete një katalizator jetik dhe instrument i domosdoshëm për integrimin ekonomik, investimet dhe projektet lidhëse, që synojnë nxitjen e pajtimit, sigurisë, rritjes, punësimit dhe prosperitetit në rajon dhe garanci për një bashkëpunimin rajonal të qendrueshmë dhe afatgjatë.

 

Arben Cici mban titullin Ambasador dhe ka një karrierë të gjatë si diplomat në mjaft vende të botës