Si një vend anëtar i Nato-s, Shqipëria u përfshi në hartimin e politikave kombëtare të mbrojtjes kibernetike, midis tyre të Strategjisë Kombëtare 2020-2025.

Anila Hoxha

6 vjet më parë, në Samitin e Varshavës, Kryetarët e Shteteve anëtare  në NATO-s e përcaktuan hapësirën kibernetike si dimension operacional të NATO njësoj, toka, deti dhe hapësira kozmike. Në këtë përfundim u arrit mbas dakordësive të mëparshme mbi mjedisin virtual dhe mbrojtjen kolektive. Si një vend anëtar i Nato-s, Shqipëria u përfshi në hartimin e politikave kombëtare të mbrojtjes kibernetike, midis tyre të Strategjisë Kombëtare 2020-2025, mbështetur në strategjinë kiobernetike të Bashkimit Evropian.

Teksa pranë Policisë së Shtetit funksionon një strukturë modeste e njohur si njësia C, dhe që numëron vetëm 6 ekspertë të hetimeve kibernetike, një sërë institucionesh të tjera pa veçuar edhe prokurorinë u ekspozuan të brishta. Me rol koordinues identifikohet Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike në bashkëpunim me Agjensinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. Megjithatë në strategjinë kombëtare deri në 2025 pranohet se “aktualisht vihet re se mungojnë mjetet e nevojshme për të marrë dhe krijuar inteligjencë kibernetike, duke përdorur burime njerëzore dhe logjistike të nevojshme për të ushtruar veprimtarinë ligjzbatuese”.

Në websiten Cesk.gov.al që është institucioni që garanton masat e sigurisë kibernetike në nivel kombëtar, alarmi për sulme të mundshme u paralajmërua në qershor 2022, kur një ekip italian i reagimit të incidenteve të sigurisë kibernetike njoftoi për sulme virtuale të mundshme të njohura si  DDoS (distributed denial-ofservice). “Vazhdojnë të ketë shenja dhe kërcënime për sulme të mundshme të pashmangshme kundër subjekteve publike kombëtare, subjekteve private që ofrojnë shërbime publike ose subjekteve private imazhi i të cilëve identifikohet me shtetin e Italisë,” shpjegohet në paralajmërimin e publikuar edhe për Shqipërinë. Sinjalet ishin postime nga kanali Telegram i grupit Killnet, që  nxisin sulme ‘masive dhe të paprecedentë’ kundrejt Italisë.  Ky paralajmërim që u publikua si masë paraprake, vinte  pak kohë pas  një takimi mes vendeve të Ballkanit të thirrur nga Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike, që u mbajt në vendin tonë gjatë verës dhe ku ekspertët më të mirë të rajonit për mjedisin virtual shkëmbyen informacione për rreziqet e mundshme.

Sidoqoftë  nuk kaloi shumë kohë dhe shërbimet online qeveritare u sulmuan  duke dalë përkohësisht jashtë loje. Kryeministri Edi Rama tha se ky ishte një sulm i organizuar nga një shtet dhe se nuk ishte një cështje hakerash. Edhe kësaj radhe kërkesa për ndihmë nga të huajt dhe partnerët ishte e pashmangshme. Sulmi i kryer ndaj  AKSHI-t, solli jo vetëm hetime për katër vepra penale, që ende nuk janë finalizuar. Gjithashtu u vërejt asistenca e skuadrës së  Microsoft DART (Detection and Response Team) dhe partnerëve të  “Jones Group International”  për rikthimin e shërbimeve on line. Por ky ishte dëmi më i vogël.

Në 9 shtator sulmi kibernetik goditi pajisjet e menaxhuara nga Ministria e Brendshme duke prekur edhe sistemin TIMS, pjesë e policisë shqiptare. Prokuroria e Përgjithshme njoftoi zyrtarisht se postimi i të dhënave  si ato që vërshuan mbasi ishte hakeruar emaili i ish drejtorit të përgjithshëm të policisë, cënon sigurinë kombëtare dhe për këtë asye me vendim të posaçëm mediat u urdhëruan të mos nxjerrin të dhënat policore që hakerat i publikuan. Por sërish autoritetet me ndihmën e ndërkombëtarëve po tentojnë të minimalizojnë dëmet që grupi Homeland Justice kreu, duke hyrë në sistemin që duhet të kishte siguri maksimale. Zyrtarisht është pranuar që ky sulm kibernetik po kryhet nga hakera iranianë, të cilët janë të njëjtët që ndërhynë pranë AKSHI, institucioni që zotëron të gjitha faqet zyrtare qeveritare në vend.

 

Anila Hoxha është gazetare që raporton për çështjet e drejtësisë dhe krimit të organizuar