Me kalimin e kohës, përveç mësimeve në shkollë dhe punë, do të mësoni të heshtni. Ju do të mësoni të injoroni, të duroni, të jetoni me faj. Dhe megjithëse në brendësi do të jeni thellësisht të lënduar çdo herë, do të zgjidhni heshtjen, sepse me kë mund të flisni?

Ana Mihajlovski

Shkolla fillore, e mesme, universiteti, studimet e doktoraturës, puna juaj e parë… cilado qoftë rrethana juaj, nëse je një grua në Ballkan, ju do të keni përjetuar një nga shumë llojet e ngacmimeve seksuale, madje edhe pa e ditur si quhet.

Ndërsa djemtë vraponin rreth jush në shkollën fillore, duke u përpjekur t’ju preknin në mënyrë të papërshtatshme, shumicën e kohës çdokush rreth jush qëndronte në heshtje, dhe ishte vetëm sikleti juaj që ulëriste, duke u përpjekur t’ju thoshte se diçka nuk shkonte. Ndjenjat tuaja ulërinin, dhe të gjithë rreth jush qeshnin sepse – janë thjesht fëmijë.

Më vonë, mësuesi i shkollës së mesme do t’ju pyesë se për ku jeni nisur duke ekspozuar gjoksin në atë mënyrë, ose diçka të ngjashme, por ndërsa sikleti fillon të ulërijë, vijohet nga ‘kështu është ai, mos i kushto vëmendje.

Shumë vite më pas, në një nga intervistat e tua të punës, do të keni të njëjtën përshtypje kur shefi i ardhshëm do t’ju bëjë pyetje personale të papërshtatshme, apo do të komentojë rreth paraqitjes tuaj në një mënyrë të papërshtatshme, apo do t’ju dërgojë një million mesazhe në përpjekje për të marrë nga ju diçka për të cilën nuk keni rënë dakord kur i thatë po punës.

Ndonjëherë do t’ju kapin mornicat ndërsa lexoni një koment seksist poshtë fotos tuaj që thotë se ju vleni më pak sepse vishni fund të shkurtër, apo sepse keni patur lidhje me këtë apo atë djalë. Dhe pastaj, si çdo herë tjetër do të mendoni nëse e meritoni apo nëse keni të drejtë të ankoheni sepse keni veshur funde të shkurtra, dhe keni patur të dashur …
Ndonjëherë, çdo qelizë e qënies tuaj do të rebelohet kur një kalimtar rastësisht t’ju thotë se çfarë do të donte të bënte me ju, por shoqja juaj do t’ju thotë ta injoroni – ai është thjesht një idiot.

Në këto raste, dhe shumë të tjera, të gjithë do të heshtin, do t’ju thotë të mos tregoheni dramatike – janë thjesht djem që sillen si djem, apo ‘ai’ që po sillet si ai, ndërsa gjatë gjithë kohës instikti juaj ju thotë që është e gabuar, që ju sjell shqetësim dhe nuk do të donit ta përjetonit këtë gjë.

Me kalimin e kohës, përveç mësimeve në shkollë dhe punë, do të mësoni të heshtni. Ju do të mësoni të injoroni, të duroni, të jetoni me faj. Dhe megjithëse në brendësi do të jeni thellësisht të lënduar çdo herë, do të zgjidhni heshtjen, sepse me kë mund të flisni?

Për fat të keq, disa do të mësojnë ta bëjnë lëkurën shollë që të mos shqetësohen fare nga kjo, dhe disa do të mësojnë të mos e dëgjojnë zërin që u thotë se është e gabuar, përgjithmonë.
Dhjetë, njëzet, tridhjetë vjet më vonë media është alarmuar, shoqëria jonë është zgjuar. I gjithë rajoni është tronditur nga eksperienca e tmerrshme e grave të reja, dhe tani ne po vëmë në pikëpyetje eksperiencat tona, sjelljen tonë, punëmarrësit tanë. Kaq shumë pyetje – si ndodhi kjo, pse kanë heshtur kaq gjatë, si nuk e kemi vënë re, për hir të Zotit pse nuk e kanë ngritur zërin më shpejt?! I kujt është faji?!

Në një botë ku ju thonë vazhdimisht të mos flisni, të injoroni, të gjeni justifikime për një shef, koleg, shok, profesor të pakëndshëm, dhe ta gjeni fajin tek vetja, çfarë tjetër mund të prisnim?

Vërtet menduam se në botën ku brezat janë rritur me shkop në dorë, ku na janë kapur të pasmet për dekada të tëra – duke filluar që në shkollën fillore, nuk ka mendje të sëmura që do t’i çonin këto terrore ‘të vogla’ në një tjetër nivel?

A jemi kaq naivë sa të besojmë se nuk ka nga ata që do të përfitojnë nga heshtja dhe injoranca në mënyrat më të këqija?

Ne nuk mund të jemi kaq leshko sa të besojmë që nuk ka mendje që do ta shtojnë të gjithë heshtjen, injorimin, dhe ta shumëzojnë atë me përbërësin më të rëndësishëm – faktin që ne zgjedhim cilën viktimë të ngacmimit seksual të mbrojmë, në varësi të gjatësisë së fundit të saj, numrit të partnerëve, apo të punës që bën?

Dhe ndërsa kërkojmë një përgjigje për këto pyetje, bëjini vetes një tjetër pyetje… edhe sa të tjera janë?

Po… fajin e kemi ne të gjithë.

 

Ana Mihajlovski, gazetare dhe prezantuese në televizion