Nuk ka pasur asnjë grup tjetër shoqëror në vendet tona, të drejtat e të cilit janë të njëjta, por atëherë nuk mund t’i gëzoni ato, sepse politikanët, shoqëria, kolegët, miqtë dhe familjarët do t’ju thoshin se nuk ka ardhur ende koha!

 Altin Hazizaj

I burgosuri i fundit i ndërgjegjes në Shqipëri doli nga burgu në vitin 1992, pasi bëri gati 12 vjet burg për kryerjen e marrëdhënieve seksuale me një burrë tjetër të rritur. Shqipëria dhe Rumania ishin të vetmet vende në Europë ku nëse konstatohej se një burrë kishte kryer marrëdhënie seksuale me një burrë tjetër, mund të dënohej deri në 15 vjet burg. Ligjet e konsideruara “sodomi” nuk zbatohen më në të gjithë Ballkanin.

Vendet e Ballkanit janë përpjekur për 20-30 vitet e fundit të përparojnë drejt respektit dhe barazisë për personat LGBTIQ. Megjithatë, situata për shumë prej tyre mbetet e rëndë nëse jo e pashpresë. Megjithëse ligjërisht diskriminimi i njerëzve bazuar në orientimin e tyre seksual dhe identitetin gjinor (jo domosdoshmërisht shprehja gjinore) është i ndaluar, situata e tyre, nëse përmirësohet apo përkeqësohet, varet nga humori i pak liderëve dhe politikanëve. Edhe pak arritje në të gjitha shtetet e Ballkanit deri më tani mund t’i atribuohen presionit të lëvizjeve modeste LGBTI dhe akoma më pak aleatëve që duan t’i shohin miqtë dhe vendet e tyre si “normale” dhe të pranojnë se homoseksualët, lezbiket, biseksualët, transgjinorët apo queer mund gëzojnë dhe shprehin lirisht, publikisht dhe lumturisht jetën e tyre dashurore dhe seksuale, si çdo person tjetër.

Një muaj më parë në Maqedoninë e Veriut, një aktivist LGBTI që flet shqip thuajse mbeti i vdekur para nënës së tij, teksa vizitonte varrin e babait të tij në Tetovë. Banda që e rrahu nuk ishte e lumtur që një shqiptar mund të ishte homoseksual dhe të fliste për të drejtat e tyre. Policia nuk ka arrestuar askënd për këtë krim të urrejtjes, ndërsa asnjë politikan nuk ka dalë në mbështetje të aktivistit. Në Kosovë, ligjvënësit për vite me radhë kanë dështuar të miratojnë ndryshimet në Kodin Civil nga frika se mund t’u japin të drejta të barabarta për martesë çifteve të të njëjtit seks, edhe pse Kushtetuta e garanton këtë.

Situata nuk është më e mirë në vendin tim. Ndryshimet e propozuara në Kodin e Familjes dhe Ligjin për Birësimin, u hodhën me nxitim për shkak të presionit të komuniteteve fetare, të cilat i konsideronin si një “punë të fshehur” nga komuniteti LGBT. Një vit më parë, një person transgjinor mbeti me një thyerje të nofullës nga një bandë prej dhjetë të rinjsh, në kulmin e një debati publik për përdorimin e përemrave gjinorë respektues në gjuhën shqipe. Personat transgjinorë janë shpesh viktima të diskriminimit dhe urrejtjes në emër të të gjithë komunitetit LGBTIQ. Pothuajse të gjithë personat transgjinorë në Shqipëri mbijetojnë duke bërë punë seksuale, ndërsa në të gjithë Ballkanin policia shpesh i sulmon ose i shpërfill krimet e kryera ndaj tyre.

Në Serbi, ndërsa vetëm pak vite më parë komuniteti LGBTI nuk mund të mbante paradën e përvitshme të krenarisë pa u kërcënuar seriozisht nga ekstremistët e djathtë, sot ka një Kryeministre lezbike. Megjithatë, të drejtat që ajo duket se gëzon për shkak të pozitës së saj politike, nuk i gëzojnë pjesa tjetër e personave LGBTI. Edhe pse në shumicën e vendeve europiane barazia martesore është një realitet dhe shoqëria respekton gjerësisht gëzimin e barabartë të të drejtave për të gjithë, në Ballkan barazia martesore mbetet një ëndërr e largët, pasi ka çështje më të ngutshme, si mbijetesa, ushqimi, punët e denjë dhe paga. Sikur të mos mjaftojnë këto për t’u shqetësuar (për të gjithë), duhet të përballesh me presionin e familjes dhe të bashkëmoshatarëve që lindur në atë mënyrë, shaka të këqija nga miqtë dhe kolegët e punës ose më keq, të mos i thuash askujt se je LGBTIQ nga frika e diskriminimit, hakmarrjes apo urrejtjes që mund t’ju lënë pa punë, para, status social dhe ndonjëherë të vdekur! Kjo nuk është një perspektivë me të cilën të gjithë janë gati të përballen. Prandaj, kaq shumë të rinj dhe të moshuar LGBTIQ kanë lënë vendet e tyre për të ndërtuar një jetë në vende ku gjejnë respekt dhe pranim për atë që janë.

Ndoshta kjo Euro Pride dëshiron të na kujtojë të gjithëve se sa të pabarabarta dhe të padrejta janë shoqëritë tona dhe sa duhet të luftojmë për të drejtat që supozojmë se i kemi! Nuk ka pasur asnjë grup tjetër shoqëror në vendet tona, të drejtat e të cilit janë të njëjta, por atëherë nuk mund t’i gëzoni ato, sepse politikanët, shoqëria, kolegët, miqtë dhe familjarët do t’ju thoshin se nuk ka ardhur ende koha! Nëse jo sot, kur?

 

Altin Hazizaj është gazetar dhe mbrojtës ligjor shqiptar