Shpesh ndodh që fëmijët e lënduar të jenë bullizues, ndoshta në përpjekje për ta rikthyer fuqinë e tyre, apo për të zhvilluar autoritet.
Alisa Bajgora
Të jesh adoleshente do të thotë se po kalon nëpër periudhën e rritjes dhe përvojave të paharrueshme. Mirëpo për shumë adoleshentë, realiteti i ashpër i bullizmit lë gjurmë të hidhura gjatë këtyre viteve. Si një adoleshente, edhe unë i kam parë efektet e dhimbshme të bullizmit. Kjo temë meriton vëmendje, mirëkuptim dhe veprim. Me këtë artikull, unë synoj të jap mendimet e mia mbi kërcënimin që vjen nga bullizmi, me shpresën se vetëm duke u vetëdijësuar kolektivisht mund të sjellim ndryshime pozitive.
Bullizmi përkufizohet si dëmtimi i qëllimshëm i një individi apo një grupi, nga një person apo një grup tjetër, ku ndërlidhja në mes të dy palëve përfshin një disbalancë të fuqisë. Si një dukuri negative, bullizmi afekton njerëzit anë e mbanë botës, pavarësisht moshës, gjinisë, përkatësisë fetare, apo etnisë. Ai zhvillohet në kontekste të shumta, si në shkolla, në vendin e punës, në lagje dhe në hapësira të ndryshme virtuale.
Tek të rinjtë në Kosovë, bullizmi kryesisht shfaqet si përqeshje, dhunë fizike, dhunë psiqike, bullizmi kibernetik, etj. Bullizues mund të jenë bashkëmoshatarët, por shpeshherë edhe individët autoritativ në jetët e të rinjve, si psh. mësimdhënësit. Në Kosovë, raportohet se rreth 72% të fëmijëve kanë përjetuar dhunë fizike,verbale, emocionale, psikologjike dhe ngacmim ndërmjet moshatarëve.
Bullizmi i ndikon të gjithë: bullizuesin, atë që bullizohet dhe atë që vrojton. Bullizmi është i ndërlidhur ngushtë edhe me dukuri negative si shëndet i dobët mendor, abuzim i substancave, dhe në rastet më të rënda, vetëvrasje.
Fëmijët e bullizuar kanë më shumë gjasa që gjatë jetës së tyre të përjetojnë sulme depresioni apo ankthi, ndryshime në modelet e gjumit, ushqyerit, humbje të interesit mbi aktivitete që atyre u pëlqenin, që shpeshherë i përcjellin deri në pjekuri. Përpos këtyre, ata fëmijë të cilët bullizohen në shkolla, kanë gjasa të shtuara që të mungojnë në procesin mësimor apo edhe ta braktisin shkollën.
“Njerëzit e lënduar, lëndojnë të tjerë” thonë. Shpesh ndodh që fëmijët e lënduar të jenë bullizues, ndoshta në përpjekje për ta rikthyer fuqinë e tyre, apo për të zhvilluar autoritet. Psikologët thonë se kjo ndodh për shkak të pasigurive që ata individ kanë në vetëvete dhe bullizmi paraqet një mekanizëm mbrojtjeje, në sensin që unë lëndoj të tjerët, dhe kështu askush s’më lëndon mua.
Mirëpo bullizmi ndikon negativisht edhe mbi agresorin. Fëmijët të cilët kanë qenë bullizues, kanë më shumë gjasa që gjatë jetës të jenë abuzues të substancave, të përfshihen në rrahje, vandalizëm,apo të lënë shkollën, të kenë dënime penale, apo të jenë abuzues ndaj partnerëve të tyre romantikë, por edhe vetë fëmijëve të tyre në të ardhmen.
Atëherë, si duhet të veprojmë ne që ta ulim dukurinë e bullizmit në shoqërinë tonë?
Krijimi i një mjedisi të sigurtë e mbështetës për të gjithë, edukimi i vazhdueshëm mbi efektet e bullizmit, promovimi i diversitetit dhe gjithëpërfshirjes, si dhe ndërhyrja në nivel kolektiv janë vetëm disa nga mënyrat se si mund të veprojmë në adresimin e këtij problemi. Koha është tani.
Alisa Bajgora, 18 vjeqare nga Prishtina, nxënëse e klasës së 12 në Gjimnazin “Sami Frashëri”
Leave A Comment