Si rezultat, denigrimi i debatit publik ka arritur pikën ku brenda natës mund të jesh edhe tradhtar edhe hero. Polarizimi i lartë ka dekurajuar marrjen e qëndrimeve të qarta për temat kundërthënëse.

 Albert Krasniqi

Në krahasim me vendet e rajonit, partitë politike në Kosovë janë hapa prapa sa i përket artikulimit ideologjik dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare të partive politike. Nga dhjetë parti politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, vetëm njëra është e anëtarësuar në organizata ndërkombëtare (Partitë Popullore Evropiane), ndërkaq partitë e tjera janë në faza të aplikimit. Integrimi i ulët i partive politike të Kosovës në organizata ndërkombëtare është pasojë e mos prioretizimit të definimit ideologjike që lidhen me faktorë historik të shfaqjes dhe zhvillimit të partive politike në Kosovë që kanë të bëjnë me përpjekjet për çlirim dhe pavarësi. Në vitet pas shpalljes së pavarësisë, diskursi publik në skenën politike është dominuar nga tema e integrimit në Bashkimin Evropian dhe dialogun me Serbinë për normalizim të marrëdhënieve. Për të dy këto tema, hapësira për dallime ideologjike ka qenë e ngushtë. Tema e parë më shumë është perceptuar si proces teknik për përmbushje të kritereve të BE-së, kurse e dyta nuk ka pasur dallime për rezultatin final që është synuar, por më shumë dallimet kanë qenë në qasjen që është ndjekur nga parti të ndryshme që kanë qenë në pushtet.

Faktor tjetër që ka ndikuar në mungesën e qartësimit ideologjik të partive politike, ka qenë mënyra se si politikanët e kanë bazuar fushatën zgjedhore për marrjen e votave vetëm në komunat prej nga e kanë prejardhjen. Ky fokusim në zona gjeografike ka pasur për synim të shfrytëzoj lidhjet familjare dhe miqësore, dhe jo prezantimin e ideve për mënyrën e qeverisjes. Hapësira e lënë nga mungesa e debateve ideologjike është shfrytëzuar nga populistët që ka prodhuar polaritet në shoqëri dhe ka nxitur ndasi të theksuara në mes të “elitave” dhe “popullit”. Si rezultat, denigrimi i debatit publik ka arritur pikën ku brenda natës mund të jesh edhe tradhtar edhe hero. Polarizimi i lartë ka dekurajuar marrjen e qëndrimeve të qarta për temat kundërthënëse.

Duket sikur mos shprehja e qëndrimeve shpërblehet më shumë me vota sesa pozicionimi i qartë për tema kundërthënëse. I tillë ishte edhe kalkulimi i partive politike në debatin për lejimin e martesave ndërmjet gjinisë së njëjtë. Përkundër që ishin të pranishëm në sallën e seancës plenare në Kuvend, deputetët e partive politike opozitare nuk morën fare pjesë në votimin e Projekt Kodit Civil që parashihte bashkëjetesë ndërmjet personave të gjinisë së njëjtë. Për opozitën “trajtimi i çështjeve të ndjeshme i takon shumicës parlamentare”, e Qeveria kujdeset vetëm të ketë numrat në Kuvend për ta mundur opozitën. Tema e martesës ndërmjet personave të gjinisë së njëjtë shkaktoi ndasi edhe brenda deputetëve të shumicës parlamentare. Për një pjesë të tyre kundërshtimi ishte për të “ruajtur moralin publik”, e për pjesën tjetër garantim i lirive personale. Devijimit ideologjike brenda partive por edhe pozicionimet në kundërshtim me përcaktimet ideologjike po hasen edhe në çështjen e grevës së mësimdhënësve dhe zyrtarëve publik në nivel lokal. Çudia ideologjike është se të tri partitë e krahut të djathtë në opozitë janë deklaruar në mbështetje të kërkesave të sindikatave, kurse partia e vetme e krahut të majtë në Qeveri as nuk janë kundër tyre, madje në përmasa shumë më të ashpra sesa kur partitë e djathta kanë qenë në pushtet.

 

Albert Krasniqi ka mbi dhjetë vite përvojë në sektorin e shoqërisë civile në Kosovë