Dhe me të vërtetë, Ana Barnabic dha përshtypjen e një gruaje të re, moderne dhe të aftë, një njeri që mund të sillte energji të reja, ekspertizë, vendosmëri dhe madje dhe guxim në ujërat e ndenjura të qeverisë serbe.    

Zoran Kesic

Nuk ka fare rëndësi nëse një politikan është mashkull apo femër nëse është i moralshëm, profesional, i aftë, d.m.th. një person që me veprimtarinë e tij kontribuon në përmirësimin e kombit.

Fakti nëse ky politikan rri në këmbë apo ulet kur është në tualet është krejt i parëndësishëm për qytetarët, sepse qytetarët janë (dhe unë i njoh në thelb) krijesa egoiste dhe lakmitare, të cilëve u intereson kryesisht vetëm ajo që kanë në portofol dhe në frigorifer.

Të mos keqkuptohemi, unë e fus dhe veten time në këtë grup.

Në këtë kuptim, ne nuk i ndajmë politikanët në burra dhe gra, por në ata që nuk na interesojnë se si qëndrojnë kur janë në tualet dhe ata që na e bëjnë mbi kokë.

Kjo është ajo që duhet të na interesojë, por një nga paradokset në Serbi është pikërisht fakti që sa më shumë që na e bëjnë mbi kokë, aq më pak na intereson ky fakt dhe aq më pak shqetësohemi për këtë.

Ana Barnabic, Kryeministrja Serbe, është shembulli perfekt se nuk ka asnjë ndryshim nëse një politikan është burrë apo grua nëse në thelb përfaqëson Asgjë-në.

Barnabic nuk është vetëm grua, por edhe lezbike.

Shume mire!

Një përfitim i dyfishtë nga lëvizja për imazhin e një shteti që, duke caktuar një grua dhe madje një person LGBT në krye të qeverisë, i paraqitet botës si një lloj shteti liberal, interesant dhe modern ku respektohen të drejtat e njeriut, në të cilin grupet e pakicave gëzohen, këndojnë dhe kërcejnë në rrugë, dhe gratë ecin me krenari pa u diskriminuar, mallkuar, rrahur dhe vrarë dhe thonë ‘na shikoni, ne jemi njerëzit më të fuqishëm në vend’.

Dhe me të vërtetë, Ana Barnabic dha përshtypjen e një gruaje të re, moderne dhe të aftë, një njeri që mund të sillte energji të reja, ekspertizë, vendosmëri dhe madje dhe guxim në ujërat e ndenjura të qeverisë serbe.

Por edhe më i rëndësishëm se vendimi personal i Anës se si të qëndrojë në tualet dhe kë të dashurojë është fakti që ajo është një person jo-partiak, dikush që nuk ishte e detyruar të recitonte si skllave, në mënyrë të bindur dhe dinake gjithçka që ishte rënë dakord në nivel partie dhe ti bënte lajka vazhdimisht presidentit.

Ne sinqerisht shpresonim që të paktën dikush të ishte ndryshe, që dikush t’i rezistonte forcës tërheqëse të asaj vrime të zezë të quajtur SNS, që të paktën dikush të mbetej burrë apo grua me emrin, mbiemrin, mendimin, qëndrimin dhe zërin e tij/saj në atë mekanizëm pushteti.

Dhe po aq sa shpresonim, përfundoi si një martesë e keqe.

Më falni, në fakt ende nuk është martesë, sepse Serbia nuk e ka miratuar akoma ligjin për  martesat e të njëjtit seks.

Përkundrazi, kemi një ‘nuskë’ të të njëjtit seks në krye të qeverisë.

Ka mundësi që duke hyrë në politikën e lartë, dikush të heqë dorë nga ato gjëra banale, profane që e përcaktonin përpara se të arrinte pushtetin politik (si ‘dashuron burrat’ ose ‘dashuron gratë’), kështu që Ana Barnabic njihej gjithnjë e më pak si lezbike gjatë mutacionit të saj politik, dhe shihej gjithnjë e më shumë si ‘progresive’.

Hutimi dhe belbëzimi i saj i këndshëm, gati prekës para kamerës u zëvendësua nga përsëritja në mënyrë të disiplinuar, si papagall, i mantrave ditore dhe javore të partisë.

Dhe ndërsa mandati i kryeministrit të Ana Brnabic vazhdonte, ajo bëhej gjithnjë e më pak profesioniste dhe puna gjithnjë e më e dhimbshme.

Gjithnjë e më pak moderne, gjithnjë e më shumë brenda kornizave të tjerëve.

Gjithnjë e më pak e guximshme, gjithnjë e më shumë e bindur.

Gjithnjë e më pak grua, gjithnjë e më shumë anëtare partie.

Dhe së fundmi, ndodhi akti simbolik i transformimit përfundimtar – Barnabic iu afrua partisë zyrtarisht dhe u bë një me të, u fut në Asgjë-në e mbrojtur, të siguruar, të vajosur.

Nuk ka më grua në politikë, nuk ka më lezbike në krye të Qeverisë, e vetmja gjë në këtë konstelacion të pushtetit në Serbi është – një Asgjë që në mënyrë të rreme pretendon se është në krye të diçkaje, dhe kjo Diçka në të vërtetë nuk është Asgjë sepse të gjitha vendimet merren vetëm dhe ekskluzivisht nga Ai.

Parlamenti luan rolin e parlamentit dhe ata janë në mënyrë tragjikomike aktorë të këqij.

Ministrat luajnë rolin e ministrit, duke u përpjekur të sigurojnë një mandat tjetër nëpërmjet sjelljes së mirë.

Kryeministrja Barnabic luan rolin e Kryeministres, bën sikur vendos për diçka, në mënyrë jo-bindëse dhe të qetë kur thotë ‘ne do të bëjmë këtë dhe atë’, sepse ne nuk do të bëjmë asgjë.  Ai do ti bëjë.

Dhe gratë në këtë lloj politike, ashtu si burrat në këtë lloj politike thjesht ‘paketojnë’.   Marioneta.   Njerëz që vetëm bëjnë lëvizjet e buzëve dhe zbatojnë komanda.

Skllevër, robotë të veshur me kostumin e lezbikeve, patriotëve, teknokratëve, akademikëve, burrave, grave – dhe lista vazhdon… nuk ka rëndësi.

Një ditë, kjo qeveri do të zëvendësohet nga një qeveri tjetër.

Ajo që duket se unë nuk e imagjinoj dot është nëse Kryeministrja Barnabic në atë moment nuk do jetë më Brnabic – anëtare partie.

E çliruar nga detyrimi për t’i shërbyer shefit të saj,  ajo do të dalë nga kuvlia  si person, pavarësisht orientimit të saj seksual?

Çfarë ndodh me të gjithë ata që kanë hequr dorë me dëshirë nga vetja për hir të partisë, kur gjithçka shkon në djall (dhe patjetër që do të ndodhë)?

A do të jemi ndoshta dëshmitarë të një parade tjetër, një parade të të gjithë atyre që sot i binden një njeriu dhe që nesër, më në fund, do të marrin guximin të thonë – ‘Unë nuk dua të fshihem pas anëtarësimit në parti, nuk dua të heq dorë më nga mendimi im për shkak të pozicionit zyrtar, unë nuk do të them gënjeshtra, sepse më urdhëruan ta bëja, unë dua të them me krenari atë që mendoj … “

E imagjinoj Ana Barnabic-in në krye të asaj parade.

Kam frikë të imagjinoj reagimin e qytetarëve ndaj asaj parade.