Do të ishte më e bukur nëse do të kisha një histori rreth një rasti kur shpëtova një fëmijë nga sulmi i një tufe qensh të tërbuar … por fatkeqësisht … Kurrë nuk ja kam shpëtuar këmbën dikujt.

Zoran Kesic

Është një rom që mori emrin e babait tim.

Ai ishte vetëm një vit më i madh se unë dhe jeton në një kasolle në majë të një rruge pa krye, e cila ishte qendra e jetës sime shoqërore, kulturore dhe sportive dhe është gjithashtu rruga ku jetonte fiksimi im.

Është viti 1986.

Unë jam 10 vjeç, ai është 11, dhe së bashku me dhjetë fëmijë të tjerë të lagjes kemi bërë aktivitetet e mëposhtme:

  • kemi luajtur futsal në fund të rrugës
  • kemi mbledhur kërmij në fushën e vogël përpara pallatit tim, se di pse, por ai gjithmonë i çonte diku
  • kemi lëpirë cepat e copave të letrës që kemi përdorur për të bërë katapultë letre, në mënyrë që ti mundnim më mirë kundërshtarët tanë
  • kemi shkuar në lagjen më lart, ku jetonin ‘armiqtë’ tanë dhe hidhnim vezë nëpër dritaret e tyre të hapura netëve të nxehta të verës dhe më pas ja mbathnim
  • kemi shkuar në kinemanë më të afërt (Avala) për të parë Jaws dhe më vonë u kemi treguar gjithë qejf mbi skenat e tmerrshme atyre që nuk kishin ardhur me ne
  • kemi shkëmbyer libra komikë, Dy Kapitenë Mikis për një Zagor
  • kemi luajtur me guralecë në një park afër rrethrrotullimit të autobusit numër 22
  • kemi shmangur rrënojat ku natën mblidheshin tufa qensh, dhe ku – siç e thotë legjenda – një gruaje i kafshuan dhe i hëngrën këmbën.

Një mbrëmje, u sulmova nga këlyshët e vegjël.  Nuk e di se si dhe pse u gjendja atje vetëm.  Mbaj mend që në duar kisha një top futbolli të cilin nuk doja ta lëshoja dhe disa qen të shëmtuar, të frikshëm dhe të zemëruar lehnin ndërsa më rrethuan.   Njëri prej tyre tashmë ishte te këmba ime dhe po përpiqej ta kafshonte.

Miku im rom, të cilit i kishin vënë emrin sipas babait tim, del nga errësira dhe u hedh gurë qenve, duke bërtitur, duke tundur duart dhe duke vrapuar drejt tyre.

Qentë u befasuan.  Ende lehnin, por u tërheqën.  Duke marrë zemër nga kjo, fillova të bërtas dhe të shkoj drejt tyre.  Unë i kërcënoja në serbisht, shoku im i kërcënonte në gjuhën rome. Kërcënimet e tij tingëllonin më të forta dhe më konkrete.

Qentë u larguan.  Gruaja të cilës i këputën këmbën nuk pati aq fat sa të kishte aty afër mikun tim rom, të quajtur sipas babait tim.

Kështu që, romët u kursejnë këmbët njerëzve dhe mund të trembin qentë endacakë.

Ne gjithashtu do të dalim në përfundimin se romët vjedhin.

Nëna ime punonte në JAT Airlines dhe shpesh udhëtonte jashtë vendit në çdo lloj programi arsimor. Një herë, shkoi në Zvicër dhe solli dy radio në formë nusepashke, për mua dhe vëllain tim të madh.

Askush rreth meje nuk kishte një radio në formë nusepashke, madje as fëmijët e lagjes tjetër më lart, dhe unë e kisha.

Dhe pastaj, pas një vizite të shokut tim rom, të quajtur sipas babait tim, më humbi.

Ne po luanim në dhomën time, ai iku, nusepashka ishte zhdukur dhe nuk e gjetëm dot më.

Më vonë mora vesh se babai im foli me shokun e tij më të mirë të fëmijërisë – babain e mikut tim rom të quajtur sipas babait tim, bisedë pas së cilës shoku im u kthye në dhomën time për të luajtur.

Pasi kishte dëgjuar se mund ta kisha humbur radion time në formë nusepashke, shoku më pyeti nëse kisha kontrolluar poshtë shtratit. Edhe pse kisha kontrolluar tashmë nën çdo shtrat, dollap, divan dhe kisha kthyer të gjithë apartamentin përmbys, nusepashka ime u shfaq si me magji poshtë shtratit, pasi shoku im më sugjeroi të kontrolloja aty.

Radiot në formë nusepashke e bëjnë këtë, ndonjëherë largohen dhe kthehen.

Do të mburrem – edhe unë kisha vjedhur lodra.

Sa herë që vizitonim miqtë e mamasë dhe babait që cilët kishin fëmijë, unë prisja që miku im i vogël të dilte nga dhoma dhe të vidhja disa gurë, një ushtar lodër ose çdo gjë tjetër që mund të fusja në xhep.

Menjëherë më pas, lodrat e vjedhura do të zhdukeshin nga grumbulli i gjërave të vjedhura dhe vizitat tona tek ata do të bëheshin gjithnjë e më të rralla.  Dyshoj se prindërit e mi i vidhnin lodrat e mia të vjedhura dhe ua sillnin sërish pronarëve të tyre.

Nga kjo, mund të dalim në përfundimin se dhe ata që nuk janë romë vjedhin gjithashtu.

Do të ishte më e bukur nëse do të kisha një histori rreth një rasti kur shpëtova një fëmijë nga sulmi i një tufe qensh të tërbuar – hiq një paralele dhe kuptoje se jemi të gjithë njësoj, me virtytet dhe gabimet tona, pavarësisht ngjyrës së lëkurës … por fatkeqësisht …  Kurrë nuk ja kam shpëtuar këmbën dikujt.

I kërkoj ndjesë lexuesit, se nuk mund të shkruaj për racizmin ndaj romëve, sepse kam dëgjuar se ekziston një gjë e tillë, por thjesht nuk e kuptoj.  Kam dëgjuar edhe për fizikën kuantike, por mos më pyet se çfarë është.

Unë mundem vetëm të tregoj përvojën time personale se çfarë mund të bëjnë romët:

  • t’ju mësojnë si të keni besim te romët.   Jek, duj, trin, shtar
  • të vënë kusht që për të qenë ftuari juaj, do duhet t’ju çojnë një natë në Stara Pazova, ku do të dëgjoni romët, më të mirët në botë për  mënyrën se si i bien Tamburitza-s; ‘kur të dehemi, të jetojmë dhe të mbijetojmë së bashku, atëherë do ta njohim vërtet njëri-tjetrin’
  • qajnë kur i pyet se si filluan të merreshin me mbajtjen e pëllumbave dhe si ishte, sepse ata gjithmonë qajnë me historitë e së kaluarës, dashurinë dhe pëllumbat, veçanërisht ata të cilët u vënë emrin djemve të tyre sipas miqve të tyre më të mirë të fëmijërisë.
  • mund të godasin drejt në sy me një katapult letre nga 20 metra larg, por nuk e bëjnë sepse jeni në të njëjtën rrugë, lagje dhe fis.
  • mund tu ruajnë këmbët që të mos ua hanë qentë
  • dhe mund të gjejnë radion tuaj formë nusepashke.