Miku im ka parë dhe dëgjuar shumë gjëra, ai është një dëshmitar i përditshëm i korrupsionit, vjedhjes, shantazhit, turmave, mashtrimit, përvetësimit, manipulimit…

Dhe nuk është i vetmi.

Zoran Kesic

Ai më kërkoi të mbetet anonim dhe t’i prezantohet publikut si miku, pa asnjë detaj tjetër të ‘miqësisë sonë’.

Ai është i shqetësuar për sigurinë e tij dhe të familjes së tij, dhe unë prirem të jem dakord.

Kujdesi që tregon nuk e bën atë më pak hero.

Vendimi i tij për të më vënë në dispozicion materialin (kështu e quajti në disa e-maile që më dërgoi, duke u përpjekur të më bindë se ai nuk është një nga mijëra të çmendurit që thonë se kanë një histori shumë të rëndësishme që mund të jetë interesante për ne’) e bën atë një hero të vërtetë, një personazh ëndërr për skenarë filmash.

Por ky nuk është film.

Nëse do të ishte film, do të më interesonte menjëherë mesazhi që do merrja nga një mik.

Në realitet, iu deshën disa javë këmbëngulje para se më në fund t’i jepja vëmendjen time.

Dhe sapo e bëra, nuk kishte më kthim prapa.

Miku im është i punësuar në një kompani shtetërore, ai është Kryetar Bashkie, ai punon në një fabrikë, është gazetar i një gazete lokale, ai është prokuror, gjykatës dhe avokat.

Është gjithashtu: futbollist i kategorisë së parë, profesor matematike në shkollë të mesme, sekretare, CEO e një kompanie private, pronare restorantesh.

Po, miku im është ai dhe ajo.

Ai është edhe prift, tifoz futbolli, ajo është këngëtare, aktore, shofer kamioni.

Të gjitha këto gjëra, dhe Zoti e di edhe sa shumë të tjera.

Miku im ka parë dhe dëgjuar shumë gjëra, ai është një dëshmitar i përditshëm i korrupsionit, vjedhjes, shantazhit, turmave, mashtrimit, përvetësimit, manipulimit…

Dhe nuk është i vetmi.

Të gjithë në kompaninë e tij, klubin e tij, zyrën, famullinë, bashkinë, sallonin e tij/saj…. Të gjithë janë në dijeni rreth asaj që po ndodh, dhe se si bëhen gjërat – është një temë e përbashkët diskutimi, por vetëm nën zë, dhe kur askush nuk mund të dëgjojë.

Sigurisht, askush nuk do të pipëtijë.

Dhe nëse e bëjnë, kujt do t’ia thonë?

Mediat që zotërohen nga qeveria nuk e pranojnë mikun tim dhe pak media kritike janë shpallur mercenarë të huaj dhe tradhëtarë vendas, qëllimi i vetëm i të cilëve është të shkaktojë kaos dhe të përmbysin qeverinë e zgjedhur në mënyrë legjitime.

Nëse do të thoshte diçka, fjalët e tij do të deklaroheshin një gënjeshtër tjetër, dhe miku im do të pushohej nga puna e tij si gënjeshtar i deklaruar, i turpëruar, ashtu si familja e tij, dhe krejtësisht i manipuluar.

Kush guxon të pipëtijë?

Ja pse miku im do të mbetet anonim.

Megjithatë, materiali që më dërgoi kërkon të publikohet.

Duhet të jetë lajm i faqes së parë, kërkon publicitet të posaçëm, urgjentisht dëshiron që të jetë tema e ditës në shtëpitë e të gjithë qytetarëve.

Materiali që më dërguan miqtë e mi, të gjitha ato video, regjistrime audio, fotografi dhe dokumente – janë të mjaftueshme për ta kthyer përmbys këtë vend në më pak se 24 orë, që të gjitha të palarat të dalin në dritë, dhe që të jetë thjesht e pamundur që të shuhen kaq shumë zjarre menjëherë.

Natyrisht, tani që kam bërë të ditur publikisht se kam këtë material dhe prova të cilat do t’i jepnin fund qeverisë aktuale, jam në telashe.

Tani pres të më trokasë dera nga minuta në minutë, të më kontrollohet apartamenti, konfiskohet laptop-i dhe të thirrem për një bisedë informative në rajonin e policisë (skenari më i mirë) apo në një shtëpi pushimesh pranë Beogradit (skenari më i keq).

Për fat të mirë, unë jam një gazetar i Southern News; koleg në N1 dhe redaktor në KRIK; jam reporter i programit të mëngjesit në Televizionin Kombëtar serb dhe më ka ardhur në majë të hundës; jam drejtues programi në TV Pink i cili nuk duron dot as një sekondë më gjatë të jetë një idiot i bindur; jam drejtues TV dhe do ta nxjerr këtë material në mes të një programi reality në TV Happy.

Do të jetë shumë e vështirë të më mbyllet goja kur të ketë shumë si puna ime, kur të jem kudo, dhe kur të ketë më shumë si unë minutë pas minute.

Heronjtë lokalë, denoncuesit, njerëzit që nuk e durojnë padrejtësinë, por edhe minjtë që po largohen nga anija që po fundoset dhe e shohin shpëtimin ‘duke kaluar nga Partizanët në ’44’, duke e blerë faljen apo së paku një ndëshkim më të butë; këto janë të gjithë njerëzit që po e sjellin materialin.

‘Nuk mund të ketë qenë kaq i korruptuar, i rremë dhe i kalbur’, thonë njerëzit me mosbesim.

‘Si kemi qenë kaq të verbër gjithë këto vite?’ pyesin veten ata.

“A kishte ndonjë gjë të ndershme, të sinqertë dhe të pastër?” pyet një qytetar, ndërsa përpiqet të kuptojë sasinë e madhe të materialit që më dërgoi miku im.

Në film, çdo gjë ndodh dhe zgjidhet brenda ditës.

Sepse natyra e materialit është e tillë sa asgjë nuk mund të mbetet njëlloj pas publikimit të tij.

Por ky nuk është film.

Do të duhet pak më shumë kohë se kaq, por e dini çfarë – miqësitë e vërteta duan vite.

Dhe më pëlqen të kem miq.

Shumë miq.