Kam pasur nevojë personale dhe profesionale për vite me radhë për të mërzitur bastardët. Edhe sot, më shumë se kurrë, ndjej nevojën për t’ua bërë të qartë se sa i përçmoj të gjithë ato gjëra që kanë lidhje me këtë lëvizje globale të përhapjes së marrëzirave.

Zoran Kesic

Duke ditur se parazitët gënjeshtarë që janë kundër vaksinave mezi presin të më shohin të sëmurë dhe menjëherë ta lidhin atë me faktin se unë, si një pakicë me mendje të shëndoshë, u vaksinova, unë saktësisht dhe publikisht deklarova emrin dhe mbiemrin e saktë të sëmundjes sime.

Inflamacion i nervit vestibular.

Një ftohje e patrajtuar dhe një lodhje e përgjithshme kaloi në veshin e mesit dhe shkaktoi një problem tek qendra që ruan ekuilibrin. Siç do të thoshte Cola, ‘Jam i pirë dhe as nuk kam pirë’.* Kjo është pak a shumë mënyra si shfaqet sëmundja.

Duke pasur parasysh numrin e njerëzve që më kanë kontaktuar dhe që kanë pasur të njëjtin problem, tani e kuptoj se diçka vestibulare ndodh shpesh, që ka ndodhur që nga fillimi i kohës, dhe do të vazhdojë të ndodhë. Nuk ka të bëjë fare me vaksinën apo Koronën dhe sidomos jo me Orks të pashpirt, mizor kundër vaksinave që kanë vendosur përsëri ta anashkalojnë, kapërcejnë dhe anti-vaksinojnë të vërtetën.

Duke u përqëndruar vetëm tek fiksimi i tyre i çuditshëm, ekspozimi i konspiracionit global korona, ekspozimi i vaksinave të rreme, dhe duke i bërë thirrje Zotit në çdo fjali tjetër sepse, sigurisht, Satanizmi, këto grabiqarë mezi presin që këto jo-prova të bëhen dëshmitë e tyre kryesore.

Sigurisht, me disa instrumenta të thjeshtë të përpunimit të imazhit, të ashtuquajtura ‘prerje – cropping’.

Për shembull, një nga ‘zërat e arsyes’ të personave kundër vaksinave botoi një titull autentik në median sociale duke njoftuar njerëzit se unë u sëmura, por duke prerë, siç i interesonte, fjalinë e fundit të tekstit, e cila shpjegonte arsyen e sëmundjes sime. Për hir të bindjes, ai shtoi interpretimin e tij: ‘Mendoj se edhe ky e mori vaksinën’.

Ju vetëm mund të imagjinoni komentet e gëzuara për këtë konfirm përfundimtar se vaksinat janë të këqija, dhe kushdo që merr një dozë vaksine do të vdesë me siguri, ose të paktën të vuajë nga kjo gjëja vestibulare.

‘Duhet kaq pak për t’i lumturuar njerëzit që vuajnë’, mendoj ndërsa lexoj komentet festive të tradicionalistëve, patriotëve dhe besimtarëve të mëdhenj entuziastë që festojnë sëmundjen time pothuajse siç festuan golat e Mitrovicës në tre ndeshjet tona kualifikuese.

Një tjetër gënjeshtar me ndikim në Facebook as që u mundua shumë. Ai thjesht vendosi të jetë mjeku im personal për atë ditë dhe dha diagnozën e tij: ‘Kesiç u sëmur pas vaksinimit”.  Nëse do të ndjekim atë logjikë, pse të mos shkojmë për variantet:  ‘Kesiç u sëmur pas notit në detin e ftohtë… Kesiç u sëmurë pasi u dërgua në ushtri sepse, po, ka kuptim… Kesiç u sëmurë tek kopshti i fëmijëve…. Kesiç u sëmur pasi lindi’

Fakti është se të gjitha këto ngjarje i paraprinë sëmundjes sime, kështu që pse të mos mbledhim dy plus dy dhe… prit, ja ku vjen – bjeruni daulleve ju lutem – prova kurorëzuese se vaksinat janë ‘të shpifura’.

Iu adresova publikisht njërit prej këtyre të marrëve, e quajta një gënjeshtar, dhe e pyeta pse e mashtronte publikun.

Sapo gënjeshtari u përgjigj me një koment nga i cili më kujtohet vetëm se Jam Satanist dhe se dikush do të më padiste për diçka sapo kjo të mbaronte, gruaja ime ma mori telefonin dhe më kërcënoi se do më nxirrte në rrugë nëse vazhdoja ta rrezikoja shëndetin tim duke debatuar me budallenj.

Për fat të mirë, unë arrita t’i mbyll njoftimet nga faqet e Facebook-ut dhe ta ndaloja vazhdimin e luftës me këta njerëz të çmendur.

Në ditët në vijim, më thanë se pas hyrjes time të dhunshme si kamikaz ne strofullën e lunatikëve anti- vaksinë, ata të gjithë u hodhën në luftë kundër meje. Vetëm mund ta imagjinoj sasinë e neverisë, kënaqësisë dhe të keqes që ata kanë vjellë atje. Gjëja më e çuditshme e të gjithave është se jam i kënaqur – është si duhet.

Kam pasur nevojë personale dhe profesionale për vite me radhë për të mërzitur bastardët. Edhe sot, më shumë se kurrë, ndjej nevojën për t’ua bërë të qartë se sa i përçmoj të gjitha ato gjëra që kanë lidhje me këtë lëvizje globale të përhapjes së marrëzirave.

Pra, ja një lajm i mirë për serbët që janë kundër vaksinave. Ju nuk jeni të vetmit që më dukeni të pështirë. Ka pasur përbuzje më parë, por ky është nivel tjetër.

Duke falsifikuar me vetëdije lajmin për sëmundjen e dikujt, me gëzim të çmendur për dikë që nuk është mirë, këta lunatikë e kanë kaluar vijën ku dikujt thjesht mund t’u vijë keq për ta,  t’i vështrojnë me çudi, ose t’u shmanget atyre siç i shmangen diçkaje në rrugë që nuk është e këndshme ta shkelësh, sepse, imagjinoni të sillni në shpi një copë anti-vaksinë të ngjitur në këpucë?! Mban erë, dhe duhet të pastroni këpucën.

Nuk është më vetëm budallallëk, tani është një e keqe e pastër e pamaskuar.

Një dëshirë e papërballueshme për të provuar si të vërtetë ndoshta të vetmen gjë tek e cila besojnë në jetët e tyre të mjerueshme dhe të dështuara.

Pavarësisht shkencës, pavarësisht arsyes, pavarësisht mjekësisë, pavarësisht historisë, pavarësisht të gjithë punonjësve mjekësorë që shpëtojnë jetët tona dhe humbin jetën e tyre për të na shpëtuar ne…

Pavarësisht njerëzimit.

Sepse çfarë u mbetet personave që janë kundër vaksinave nëse u merrni sistemin e tyre të besimit?

Çfarë janë ata pa këtë ‘të vërtetë’?

Njësoj si më parë – asgjë dhe askush.

Është kaq mizore dhe e pakuptimtë.

Dhe masat e pakuptimta kanë nevojë për kuptim.

Ata e gjetën atë në një klip në Youtube, në të cilin një burrë i thinjur, i lustruar, që duket si një mashtrues i klasit botëror, zbulon konspiracionin e universit, sekretin e Masonerisë dhe gënjeshtrën e vaksinave. Ata që shohin ‘përtej rrëfimit mashtrues’ do t’ju dërgojnë këtë video që ta shihni, me një shënim që shkruan ‘kjo është ajo që qëndron prapa mediave tradicionale’.

Po, sigurisht që është prapa. Ashtu si porno që nuk vjen në program direkt pas lajmeve të mbrëmjes – do të ishte pak e çuditshme. Ose si Pod Mac Bata**, përshtatet fiks me Ballkan Info dhe Happy TV, dhe nuk duhet marrë me seriozitet. Përveç nëse është një mendim serioz psikiatrik.

Dhe kjo është arsyeja se pse nuk mund të pres që të përmirësohem, dhe kur ta marr veten, do t’ia dedikoj aktivitetin tim publik luftës kundër budallallëkut, gënjeshtrave dhe të keqes, më fort dhe më seriozisht se kurrë.

Dhe do t’ju dhembë, më besoni, më shumë se çdo dozë vaksine nga e cila keni kaq frikë.

Dhe do të jetë misioni im.

Dhe kam edhe një mision tjetër, privat – t’i mbush mendjen gruas të më kthejë telefonin tim.

 

 

*strofë e njohur nga një këngë pop e viteve 2000 nga Zdravko Coliç

**Miroljub Petroviç kundër-vaksinave dhe teorist konspirativ në Youtube