Lumenjtë në tuba betoni nuk janë vetëm një krim kundër natyrës, por janë një pasqyrim i qëndrimit mizor, arrogant, pushtues, armiqësor dhe përbuzës ndaj Tjetrit që jeton Diku tjetër.

Voja Žanetić

Nëse lexuesi më lejon, do të doja ta filloja këtë pjesë me një dëshmi të përtacisë sime. Nuk do zgjasë shumë.

Disa vite më parë, doja të shkruaja një libër me titull ‘Ndjesë, fëmijë’. Në atë libër, në emër të brezave të kaluar dhe atyre aktualë, do të shkruaja një kërkesë falje të hollësishme për gjithçka që kemi shpenzuar në mënyrë të pakthyeshme në kurriz të brezave të ardhshëm ose, më keq akoma, që kemi shkatërruar pa pushim deri në atë pikë sa ata nuk do mund ti përdorin më.   Dhe patjetër që kishte çështje që duheshin ngritur.

Demokracia, drejtësia, paqja sociale, barazia ekonomike, arsimimi, informimi, paratë, dhe lista vazhdon – na është dhënë shumë për të përdorur, dhe ne do ti lëmë ato të prishura ose të papërdorshme në të ardhmen. Disa nga këto mund të jemi në gjendje t’i rregullojmë më vonë.  Por duket sikur nuk mund ta kthejmë pas ngrohjen globale dhe të ulim temperaturat në planetin tonë. Nivelin e detit, gjithashtu. Qeset plastike duan 450 vjet për tu ‘shpërbërë’, pelenat 550. 18 miliardë copë nga këto të fundit hidhen çdo vit vetëm në Shtetet e Bashkuara.   Pra, sido që ta shikoni, jemi të zhytur.

Për të mos u zgjatur, është e qartë pse u duhet kërkuar falje brezave të ardhshëm. Unë nuk e shkruajta librin, por ja ku është, të paktën kështu.

* * * * * * *

Ne mund të bëjmë shumë gjëra me natyrën. Mund ta adhurojmë atë, mund ta duam, mund të kemi frikë prej saj. Ne gjithashtu mund ta frenojmë, zbutim, kapim, përdorim, shfrytëzojmë dhe madje ta shkatërrojmë natyrën. Por kjo valë e re e kombinimit të lakmisë, korrupsionit, paaftësisë, pakujdesisë dhe neglizhencës solli një formë të re, ndoshta më të tmerrshme dhe sigurisht më të shëmtuar, të qëndrimit ndaj natyrës. Poshtërimi i saj.

 

Një lumë i rrasur në një tub dhe i bllokuar aty, i penguar nga çdo kontakt me qeniet e gjalla dhe pjesën tjetër të natyrës, në pamundësi për të takuar shiun, tokën dhe qiellin, është poshtëruar në maksimum.  Në raport me lumenjtë e mbushur me mbeturina, që është gjithashtu një lloj poshtërimi, ka një ndryshim të dukshëm: zakonisht mbeturinat nuk janë të vetëdijshme se çfarë i bëjnë lumit, por njerëzit plehra që e fusin lumin në një tub, e dinë shumë mirë se çfarë po bëjnë. Por nuk shqetësohen për këtë, sepse ata shqetësohen për një jeep të ri, një gardërobë që tregon statusin shoqëror, të darkojnë në vendet ku gjenden njerëz të ngjashëm dhe, për ironi të fatit, për të bërë udhëtime në peizazhe ekzotike me ‘natyrë të paprekur’.

Lumenjtë në tuba nuk janë vetëm një krim kundër natyrës, por janë një pasqyrim i qëndrimit mizor, arrogant, pushtues, armiqësor dhe përbuzës ndaj Tjetrit që jeton Diku tjetër. Të tjerët, të cilët nuk janë të përfshirë në këtë  ‘ekip’, dhe që nuk bien nën nomenklaturën e ‘vëllait / shokut’, që nuk mund t’i paguajmë që të mbyllin sytë për jetën e tyre, nuk ekzistojnë në botën e këtyre njerëzve që kryejnë krim kundër botës në të cilën jetojmë dhe ku do të vazhdojnë të jetojnë dhe të tjerët.

Ndjesë fëmijë, ne kishim pushtuesit tanë. Dhe nuk mund të mendojmë për një lëvizje të vlefshme rezistence ndaj tyre.

* * * * * * *

Sepse nuk e vlerësojmë të mirën e përbashkët, apo të dikujt tjetër. Sepse nuk respektohet as ligji e as logjika.   Sepse ata sigurojnë jetën e tyre dhe pasardhësit e të tjerëve vjedhin. Sepse shteti është aty ku është leku, por jo aty ku është rrjedha e lumit.   Sepse tani kemi kapitalizmin e brendshëm.  ‘Djemve tanë’ u lejohet gjithçka, derisa të vijnë ‘djemtë e tyre’. Sepse pushteti është aty ku është portofoli. Sepse ‘nuk është puna ime’.  Se ‘edhe çfarë’ dhe ‘pse, ka rëndësi’. Sepse natyra është bari pranë Jacuzzi-t të hapur, jo pylli në mes të askundit. Sepse ky është realiteti (TV), tabloidet, parlamenti, institucionet, policia, gjyqësori. Kjo është arsyeja.

Dhe sepse ajo që u bëhet lumenjve, në të vërtetë na bëhet neve.  Vetëm se ne kemi qenë në tub për një kohë të gjatë, kështu që nuk mund ta shohim dhe ta kuptojmë këtë.

Kjo është ajo që doja të thoja për mini-hidrocentralet.

Ndjesë fëmijë, për këtë fqinjësi.